“Një pikturë është një poezi pa fjalë”, thotë Horaci. Për Iriana Papamihalin, kjo nuk është thjesht një shprehje poetike, por themeli i shpirtit të saj artistik. E lindur në një familje artistësh, me një baba të njohur si piktori Vilson Halimi dhe një nënë mbështetëse si Myzejen Mullaj, ajo u rrit mes ngjyrave, ndjenjave dhe formave që flisnin pa fjalë.
E ftuar në podcastin #meJonën, Irina rrëfeu për rrugën e saj të gjatë dhe të thellë në art, për sfidat që ka kaluar, për mbështetjen shpirtërore dhe profesionale që i dha i ati, tashmë i ndjerë, dhe për emocionin e titulluar “Mjeshtri dhe e bija” gjatë një ekspozite të veçantë. “Ai ishte mjeshtri,” tha Irina me krenari dhe ndjenjë të thellë. Ajo e përshkroi pikturën si një nevojë jetike – një gjuhë me të cilën shpreh gjithçka që nuk mund të thuhet ndryshe.
Përveç pikturës, Irina është edhe mësuese, një rol që e përkufizon si të lodhshëm, por të mrekullueshëm. “Unë kam zgjedhur të punoj me nxënësit. Ata janë drita, janë jeta,” u shpreh ajo, duke i krahasuar me ngjyrat – secili me tonalitetin e vet, ashtu si emocionet që ndryshojnë nga çasti në çast. Ajo beson se piktura më e bukur është ajo që ka krijuar vetë Zoti: natyra. Perëndimi, retë, drita – janë frymëzimi i saj i përditshëm.