Shqipëria po shfaqet si një ndër destinacionet më të kërkuara në Evropë përmes udhëtimeve ajrore, duke regjistruar një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve në muajt e parë të vitit 2025. Sipas një raporti të fundit nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve (ACI), vendi ynë është pozicionuar ndër më të suksesshmit në performancë ajrore, me një rritje mbresëlënëse prej 56% të udhëtarëve krahasuar me periudhën para pandemisë.
Në nivel të Bashkimit Europian, shtete si Greqia, Portugalia dhe Qiproja kanë shënuar gjithashtu rritje të vizitorëve, por Shqipëria i tejkalon ndjeshëm për nga ritmi i zhvillimit. Ky sukses lidhet ngushtë me politikat e reja në fushën e aviacionit dhe zgjerimin e linjave ajrore të tipit “low cost”, të cilat kanë shtuar ndjeshëm aksesin e turistëve drejt vendit tonë.
Vetëm gjatë katër muajve të parë të vitit, Shqipëria ka pritur mbi 2.45 milionë turistë të huaj, shumica prej të cilëve kanë ardhur nga shtete europiane, me Italinë që kryeson listën e origjinës së udhëtarëve.
Kjo rritje e ndjeshme e fluksit turistik ka reflektuar drejtpërdrejt edhe në ekonominë e vendit. Gjatë tremujorit të parë të vitit, të ardhurat nga turizmi arritën në 874 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja e të ardhurave prej 86 milionë eurosh vjen si rezultat i shtimit të udhëtarëve dhe përmirësimit të shërbimeve që i ofrohen vizitorëve.
Këto shifra tregojnë qartë se turizmi ajror po bëhet një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, duke pozicionuar vendin si një qendër të rëndësishme të turizmit në rajon.