Që nga fundi i korrikut, përdoruesit e pajisjeve Apple në Shqipëri tashmë mund të përfitojnë nga shërbimi Apple Pay, i cili lejon kryerjen e pagesave të sigurta dhe të shpejta vetëm përmes telefonit apo orës inteligjente. Kjo nismë përfaqëson një hap të rëndësishëm në digjitalizimin e përvojës së pagesave për konsumatorët shqiptarë.
ProCredit Bank është banka e parë në vend që ka integruar Apple Pay në portofolin e saj, duke ofruar një mënyrë moderne, intuitive dhe me siguri të lartë për kryerjen e pagesave. Për drejtorin e përgjithshëm të ProCredit Bank Shqipëri, Mirsad Haliti, ky lançim shënon një moment historik në transformimin digjital të shërbimeve bankare në Shqipëri dhe pozicionon bankën si lider të padiskutueshëm në ofrimin e zgjidhjeve inovative për klientët.
Me Apple Pay, klientët e ProCredit Bank që zotërojnë karta debiti ose krediti në lekë mund të kryejnë pagesa në çdo dyqan fizik, online apo në aplikacione që pranojnë pagesa pa kontakt, vetëm me anë të iPhone-it apo Apple Watch-it të tyre. Shtimi i kartës në Apple Wallet kërkon vetëm disa sekonda, duke bërë portofolin fizik praktikisht të tepërt.
Siguria është një tjetër pikë kyçe e këtij shërbimi, ku çdo pagesë mbrohet përmes teknologjive të avancuara si Face ID, Touch ID apo kodi i sigurisë, duke garantuar një përvojë të shpejtë dhe pa ndërprerje.
Disa nga avantazhet kryesore të Apple Pay përfshijnë:
- Aktivizim i menjëhershëm dhe i thjeshtë
- Pagesa pa kontakt, pa nevojën për PIN apo portofol fizik
- Siguri e lartë falë teknologjisë së Apple
- Përdorshmëri e gjerë në blerjet fizike, online dhe në aplikacione
“Ky është një moment emocionues dhe dëshmi e përkushtimit tonë për të sjellë në Shqipëri shërbime bankare moderne dhe të sigurta, duke vendosur klientin në qendër të vëmendjes, tha Mirsad Haliti. “Apple Pay nuk është thjesht një teknologji e re, por një hap përtej inovacionit në mënyrën se si njerëzit kryejnë pagesat e tyre.”
Me këtë nismë, Shqipëria bëhet pjesë e listës në rritje të vendeve që përqafojnë pagesat digjitale, duke e bërë tranzaksionin më të shpejtë, më të lehtë dhe më të sigurt për qytetarët dhe bizneset.