
Të gjitha kompanitë shikojnë CV-të për të përzgjedhur kandidatët më të mirë. Por ajo që nuk shkruhet në letër dhe që vendos për të ardhmen në një ambient pune, është sjellja. Respekti ndaj kolegëve, bashkëpunimi, aftësia për të dëgjuar dhe ndihmuar janë tipare që vlejnë më shumë se çdo diplomë.
Një ambient i shëndetshëm pune krijohet nga njerëz që nuk konkurrojnë për t’u dukur më mirë, por bashkëpunojnë për të qenë më të mirë. Një fjalë e mirë në mëngjes, një ndihmë spontane, një reagim i qetë në situata të tensionuara – janë gjeste të vogla që formojnë një kulturë të madhe.
Kompanitë që kultivojnë etikën dhe sjelljen e mirë, nuk krijojnë thjesht produktivitet, por edhe qëndrueshmëri. Sepse një punonjës që ndjehet mirë në vendin e tij të punës, nuk ikën me lehtësi – ai rritet, kontribuon dhe bëhet pjesë e historisë së suksesit.
Në fund, nuk do kujtohesh për sa emaila dërgove apo sa raporte dorëzove, por për mënyrën se si i trajtove të tjerët. Karakteri është ai që të ndjek gjatë gjithë karrierës – ruaje, kultivoje dhe investo në të.