Esmiralda Musta është themeluesja e Aria Academy, një qendër e specializuar në stilimin dhe prodhimin e veshjeve cilësore, që është kthyer në një pikë referimi për ata që duan të ndërtojnë një karrierë në industrinë e modës. Me një përvojë të pasur në këtë fushë, ajo ka ndërtuar një akademi që ofron kurse 6-mujore në stilim dhe rrobaqepësi, duke kombinuar profesionalizmin me pasionin për artin e veshjes.
Së fundmi, Esmiralda ka botuar një libër unik në llojin e vet, i pari në Shqipëri, së bashku me kartmodele të veçanta që i vijnë në ndihmë studentëve dhe të pasionuarve pas stilimit të modës. Ky botim është një hap i rëndësishëm drejt dokumentimit dhe edukimit të brezave të rinj, duke sjellë për herë të parë në shqip një material kaq të strukturuar dhe të detajuar për dizajnin e veshjeve. Libri përfaqëson jo vetëm njohuri teknike, por edhe filozofinë e punës, frymëzimit dhe krijimtarisë.

E ftuar në podcastin “By Xhulio Radi”, ajo ndau rrugëtimin e saj profesional, vështirësitë e tejkaluara dhe kënaqësinë që ndjen kur sheh sukseset e kursantëve të saj. “Jam e lumtur kur shoh që ish-kursantet e mia hapin biznese dhe shkëlqejnë në këtë fushë,” tha ajo me emocion. Marrëdhënia e ngushtë me studentët është një nga shtyllat kryesore të metodës së saj: besim, mbështetje dhe zhvillim i potencialit personal të çdo individi.
Kur u pyet rreth konkurrencës në treg, Esmiralda e pa atë si një mundësi pozitive. “Konkurrenca është e shëndetshme, sepse zhvillon tregun dhe na motivon të bëhemi më të mirë,” u shpreh ajo. Me këtë filozofi, ajo i fton të gjithë të apasionuarit pas artit të modës që të bëhen pjesë e Aria Academy, për të mësuar jo vetëm teknikat, por edhe dashurinë për një profesion që ndërtohet me punë, përkushtim dhe vizion të qartë për të bukurën.