Kozma Seferaj, themelues dhe CEO i Maxbrand Albania, ka ndarë katër vlera thelbësore që, sipas tij, duhet të karakterizojnë çdo kompani që synon jo vetëm sukses ekonomik, por edhe një kulturë pune të shëndetshme dhe të qëndrueshme.
Në një analizë të drejtpërdrejtë dhe të bazuar në përvojën e tij si drejtues, Seferaj thekson se vlerat nuk mund të jenë vetëm slogane në mur, por duhet të mishërohen në sjelljet e përditshme të drejtuesve dhe stafit.
1. Prano gabimet – edhe kur je në krye
“Ky ishte faji im”, është një shprehje që duhet të dëgjohet shpesh nga drejtuesit, sipas Seferajt. Vetëm përmes pranimit të gabimeve krijohet një kulturë e hapur ku njerëzit nuk kanë frikë të gabojnë dhe të mësojnë.
2. Tregohu mirënjohës dhe kërko ndihmë me dinjitet
Fjalët “Kam nevojë për ndihmën tënde” dhe “Faleminderit” nuk janë thjesht forma mirësjelljeje, por janë gurë themeli të një ambienti bashkëpunues dhe motivues.
3. Thuaje në sy, jo pas shpine
Transparenca është bazë e besimit. Çdo koment për performancën duhet bërë përballë dhe me qëllim përmirësimi, jo në formën e thashethemeve që helmojnë ambientin.
4. Lavdëro edhe kur personi nuk është aty
Ashtu si kritika jepet privatisht, lavdërimi duhet të jetë publik – dhe pse jo, edhe “mbrapa krahëve”. Ky është një mesazh që përhap pozitivitet dhe forcon kulturën e vlerësimit.
“Vlerat e kompanisë nuk janë ato që shkruhen për marketing, por ato që punonjësit i ndiejnë në përditshmëri”, shkruan Seferaj, duke e përmbyllur me një thirrje për të gjithë drejtuesit: “Provo të mos i bësh këto katër gjëra dhe do e shohësh vetë çfarë kulture krijon.”