Rrjeti gjerman i supermarketeve LIDL ka marrë zyrtarisht statusin e investitorit strategjik në Shqipëri, duke hapur rrugën për një projekt madhor në vlerën e mbi 105 milionë eurove. Ky investim parashikon ndërtimin e një qendre logjistike moderne në Porto Romano, Durrës, në një sipërfaqe prej 200 mijë metrash katrorë. Projekti është pjesë e një plani më të gjerë për zgjerimin e aktivitetit të kompanisë në tregun shqiptar.

Qendra logjistike do të shërbejë si nyje kyçe për furnizimin me produkte të rrjetit të ardhshëm të supermarketeve LIDL në Shqipëri, si dhe për shpërndarjen dhe eksportin e produkteve vendase. Investimi përfshin ngritjen e infrastrukturës së nevojshme për magazinimin dhe mirëmbajtjen e produkteve ushqimore e industriale, duke forcuar kështu kapacitetet tregtare dhe eksportuese të vendit.
Ky projekt parashikohet të krijojë mbi 2,500 vende pune dhe do të zbatohet në bashkëpunim me Autoritetin Portual të Durrësit, në kuadër të Masterplanit të Portit të Ri në Porto Romano. LIDL do të përfitojë nga statusi i investitorit strategjik për tre vite, duke operuar në Shqipëri nëpërmjet shoqërisë “Lidl Shqipëria” sh.p.k., pjesë e grupit ndërkombëtar Schwarz Group.