Ndërsa dikur mendohej se një gotë verë herë pas here mund të kishte efekt pozitiv për shëndetin, sot ekspertët janë më të kujdesshëm. Sidomos për ata që i kalojnë të 65-at, paralajmërimet janë gjithnjë e më të qarta: truri plakur nuk ka më tolerancë për alkoolin, madje edhe sasi të vogla mund të kenë pasoja serioze.

Neurologu amerikan Dr. Richard Restak nënvizon rëndësinë e kufizimit drastik, ose edhe të ndërprerjes totale të konsumit të alkoolit pas kësaj moshe. Ai thekson se truri pas të 65-ave është më i ndjeshëm ndaj dëmtimit, dhe alkooli mund të përshpejtojë rënien e funksioneve njohëse, përfshirë kujtesën dhe përqendrimin. Humbja natyrale e neuroneve që vjen me plakjen përkeqësohet më tej nga prania e rregullt e alkoolit në organizëm.
Studimet e viteve të fundit e mbështesin këtë qëndrim. Një analizë e gjerë franceze, e cila përfshiu mbi një milion raste të demencës, e identifikoi alkoolin si një nga faktorët kryesorë që rrisin rrezikun për zhvillimin e çrregullimeve mendore në moshë të thyer. Edhe një kërkim britanik me mbi 25 mijë të rritur tregoi se edhe ata që pinin në kufijtë e konsideruar “të sigurt”, përjetonin ndryshime të padukshme por të qëndrueshme në funksionin e trurit.

Spitalet evropiane kanë vendosur pragje të reja për konsumin e përditshëm të alkoolit: për burrat mbi 65 vjeç dhe për gratë, maksimumi është një pije standarde në ditë – që përkon me rreth 100 ml verë apo një gotë të vogël birrë. Çdo tejkalim i këtij limiti, madje edhe në mënyrë të rastësishme, konsiderohet i rrezikshëm.
Nëse vëreni se pirja po bëhet pjesë e zakonshme e rutinës, ose keni vështirësi për ta ndalur atë, është momenti të kërkoni ndihmë profesionale. Lënia e alkoolit në këtë fazë të jetës nuk është një sakrificë, por një investim i zgjuar për ruajtjen e memories, mendjes dhe cilësisë së jetës.