Një përqafim i ngrohtë mund të jetë më shumë se një shprehje dashurie – ai mund të ndikojë edhe në oreksin tonë. Studimet e fundit shkencore kanë zbuluar se oksitocina, hormoni i njohur si “hormoni i dashurisë”, ndihmon në uljen e ndjenjës së urisë, duke ofruar një qasje të re dhe natyrale ndaj menaxhimit të peshës trupore.
Oksitocina prodhohet në hipotalamus dhe luan një rol të rëndësishëm në lindje, ushqyerjen me gji dhe tek lidhjet emocionale mes njerëzve. Gjatë përqafimeve, përkëdheljeve apo kontakteve intime, trupi çliron këtë hormon, i cili ndikon pozitivisht në humorin tonë dhe përforcon ndjenjat e afërsisë dhe sigurisë.
Ajo që e bën këtë hormon edhe më interesant është ndikimi i tij në oreks. Studiuesit kanë vënë re se përmes përdorimit të oksitocinës në formë spreji nazal, pacientët shfaqin ulje të ndjeshme të oreksit. Por mënyra më e thjeshtë dhe natyrale për të çliruar këtë hormon është një përqafim që zgjat të paktën 20 sekonda.
Përqafimi i shkurtër, por i qëlluar, mund të ndihmojë në reduktimin e stresit dhe frenimin e dëshirës për të ngrënë në mënyrë impulsive. Kjo e bën oksitocinën jo vetëm një aleat emocional, por edhe një mbështetje potenciale në balancimin e zakoneve ushqimore.
Ekspertët sugjerojnë që përpara një vakti, një përqafim i sinqertë me dikë të dashur mund të shërbejë si një formë natyrale e vetëkontrollit dhe mirëqenies emocionale. Në një botë ku gjithçka po kërkohet nëpër suplemente, ndoshta një përqafim është receta më e thjeshtë që na mungon.