Në një deklaratë të fortë dhe të drejtpërdrejtë, Prof. Dr. Enriko Çeko ka evidentuar tri çështje emergjente që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme në vendin tonë, duke nisur nga mënyra si trajtohen njerëzit, qasja e klasës politike ndaj realitetit të përditshëm, dhe struktura e biznesit në Shqipëri.
Sipas tij, ndryshimi i parë i domosdoshëm është qasja ndaj jetës së qytetarëve. “Njerëzit nuk mund të trajtohen më si vegla apo si mjete për të arritur qëllimet e dikujt tjetër lart. Jeta e qytetarit ka vlerë dhe nuk duhet të instrumentalizohet,” thekson Çeko.
Pika e dytë lidhet me nevojën urgjente që politikanët të “zbresin me këmbë në tokë” dhe të kuptojnë realitetin ku jeton populli. Ai rikujton një deklaratë të dikurshme të një ish-ministreje që pretendonte se mund të jetohej me 150 euro në muaj, ndërsa sot, sipas burimeve të tij, një anëtare e parlamentit shpenzon rreth 50 euro vetëm për flokët çdo mëngjes përpara se të shkojë në punë. “Shikoni çantat, shikoni veshjet, dhe do kuptoni se nuk është thjesht një fjalë goje, por një ndarje e thellë e realiteteve,” thotë Çeko.
Ndryshimi i tretë ka të bëjë me përmirësimin e thellë të produktivitetit dhe mënyrës si funksionon biznesi në Shqipëri. Çeko thekson se 96%-97% e bizneseve në vend janë mikrondërmarrje — pra, me 1 deri në 5 punonjës. “Ne duhet të ndryshojmë klasifikimin tonë dhe të përshtatemi me standardet evropiane, ku ndërmarrjet me 1 deri në 50 punonjës quhen mikrondërmarrje, dhe ato mbi 50 quhen të vogla dhe të mesme. Vetëm kështu mund të rritim kapacitetin prodhues dhe të zhvillojmë realisht ekonominë,” përfundon ai.