Një raport i ri nga Oxfam ka zbuluar se vetëm 3,000 miliarderë në botë kanë shtuar 6.5 trilionë dollarë në pasuritë e tyre në një dekadë, ndërkohë që mbi 3.7 miliardë njerëz jetojnë ende në varfëri ekstreme. Që nga viti 2015, pasuria e më të pasurve është rritur me 33.9 trilionë dollarë, një shumë që mund të zhdukte varfërinë globale 22 herë, sipas të dhënave të Bankës Botërore.
Raporti vëren gjithashtu një rënie alarmante të ndihmës shtetërore për vendet në zhvillim dhe një rritje të borxhit për ekonomitë më të varfra, duke thelluar pabarazitë globale. Vendet e G7-s pritet të ulin ndihmën ndërkombëtare me 28% deri në vitin 2026, ndërsa 60% e vendeve me të ardhura të ulëta janë në rrezik të krizës së borxhit.
Oxfam propozon taksim të pasurisë së miliarderëve, duke theksuar se ata aktualisht paguajnë vetëm 0.3% të pasurisë së tyre në taksa. Sipas një sondazhi të zhvilluar në disa vende evropiane, 9 nga 10 qytetarë mbështesin një taksë të tillë për të financuar shërbime publike dhe për të luftuar krizën klimatike. Në fund, raporti thekson se vetëm 16% e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm të OKB-së janë në rrugën e duhur për t’u realizuar.