Shqipëria ka zyrtarizuar një tjetër hap drejt transformimit digjital dhe afrimit me standardet e Bashkimit Europian. Kuvendi ka ratifikuar marrëveshjen me Komisionin Evropian për një fond prej 44 milionë eurosh në kuadër të programit IPA III, që do të shtrihet përgjatë viteve 2024-2027. Nga kjo shumë, 30 milionë euro janë grant i drejtpërdrejtë nga BE, ndërsa 14 milionë do të mbulohen nga qeveria shqiptare.
Programi synon modernizimin e shërbimeve publike përmes investimeve në fusha kyçe si shëndetësia digjitale, arsimi, siguria kibernetike dhe zgjerimi i infrastrukturës teknologjike. Në sektorin e shëndetësisë, qytetarët do të kenë akses të sigurt online në të dhënat e tyre, duke shmangur trajtimet e dyfishta dhe përshpejtuar ndërhyrjet mjekësore, veçanërisht për shtresat më të ndjeshme.
Në fushën e arsimit, fondet do të përdoren për zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Arsimit deri në vitin 2026, përmes reformimit të kurrikulave, trajnimit të mësuesve në teknologji dhe zhvillimit profesional të stafit mësimor. Programi mbështet gjithashtu përfshirjen digjitale të komuniteteve me të ardhura të ulëta dhe zonave rurale, duke synuar një qasje më gjithëpërfshirëse dhe të barabartë ndaj teknologjisë.
Një element kyç i këtij transformimi është edhe forcimi i mbrojtjes kibernetike dhe përafrimi i legjislacionit kombëtar me atë të Bashkimit Europian. Marrëveshja përforcon lidhjen teknologjike dhe institucionale të Shqipërisë me BE-në, duke ndihmuar në përshpejtimin e proceseve integruese dhe të reformave sektoriale.
Në kuadër të programit parashikohet edhe një studim fizibiliteti për vendosjen e rrjetit fiks të internetit me shpejtësi të lartë në shkolla dhe qendra shëndetësore, çka do të përmirësojë ndjeshëm shërbimet publike dhe aksesin për qytetarët në nevojë.