Në një kohë kur gjithnjë e më shumë fëmijë i largohen artit për t’iu përkushtuar teknologjisë, Drini Drishti vjen si një shembull frymëzimi për brezin e ri. Djali i dy figurave të njohura të medias shqiptare, Eniana dhe Ismet Drishti, Drini ka zgjedhur të ecë në rrugën e artit, duke përfaqësuar me dinjitet jo vetëm familjen, por edhe Shqipërinë në skena të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare.
Një nga pjesëmarrjet e tij më të fundit ishte në Festivalin e 63-të Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë që u mbajt në Shkodër. Ky event, i organizuar nga Bashkia Shkodër, RTSH dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, mblodhi së bashku zërat më të mirë të fëmijëve nga e gjithë Shqipëria. Drini mori pjesë me një këngë të veçantë, e cila mbante një mesazh të fuqishëm për prindërit dhe për procesin e rritjes së fëmijëve.

Kënga titullohej “Dua”, dhe ishte një krijim i të atit, regjisorit Ismet Drishti, i cili ka realizuar si tekstin ashtu edhe muzikën. Orkestrimi i saj u realizua nga mjeshtri Shpëtim Saraçi, duke i dhënë veprës një dimension profesional dhe emocional. Teksti i këngës është një rrëfim i sinqertë dhe i gjallë i marrëdhënies së një fëmije me prindërit, me situata që çdo familje mund t’i njohë:
Dua të skuq një vezë
Zjarrin duhet ta ndez
Po mami që nga larg fillon bërtet
Driniii…
Apo:
Babi do t’m’përqafojë
E hopa do t’më çojë
O zot je bër i rëndë sa një ari
Drini…
Refreni i këngës, i ndjeshëm dhe me një thirrje të qartë emocionale, përcjell një mesazh të fortë:
Çdo ditë ne rritemi
S’na shikoni
Kokën ulur n’telefon
Ju kërkojmë sytë
Ju duam zërin
Mos humbni rritjen tonë
Drini e interpretoi këngën me shumë ndjenjë dhe siguri, duke marrë përgëzime jo vetëm nga juria, por edhe nga publiku, për mënyrën e natyrshme se si i solli fjalët e një fëmije. Kjo këngë nuk ishte thjesht një interpretim muzikor – ishte një mesazh për çdo familje shqiptare që shpesh, në ngutjen e përditshmërisë, harron se fëmijët nuk rriten vetëm me ushqim e shkollë, por edhe me vëmendje, fjalë të ngrohta dhe kohë të ndarë bashkë.

Çmimet e fituara nga Drini Drishti:
International Festival Polyhymnia 2025 Shkup
Festivali i 28 ndërkombëtar “Pianisti i ri “Epta”
Kompeticioni i 13 ndërkombëtar për të rinj “Dinu Lipatti” Tivoli Romë
Konkursi ndërkombëtar “Pjetër Gaci” edicioni 24
Konkursi ndërkombëtar “Tirana Talent” edicioni 16
Adriatik dance Fest edicioni 16-Ajri
Festivali i 63 kombëtar i këngës për fëmijë