I ftuar në Scan TV, në emisionin “Start i pasdites” me moderatore Vjola Gremi, eksperti i marketingut Xhulio Radi tha se shumica e njerëzve bëjnë blerje impulsive dhe se shumë prej tyre blejnë të shtyrë nga emocionet. Kjo ndodh sidomos në ditët e uljeve të mëdha si Black Friday. Sipas tij, pas çmimeve të ulura dhe ofertave “që s’duhen humbur” fshihet një mekanizëm i tërë që ndikon te vendimet e konsumatorit. Ai mekanizëm nis me strategjitë e dyqaneve dhe shkon deri te rrjetet sociale që na ndjekin çdo kërkim.
Sipas Radit, shumica e njerëzve bëjnë blerje impulsive dhe shumë prej tyre blejnë nisur nga emocionet. Ai nuk e përjashtoi as veten. Tha se edhe ai ka bërë blerje impulsive, por me kalimin e kohës e ka përmirësuar këtë sjellje. Radi foli edhe për pasojat e këtyre blerjeve. Sipas tij, vlerën e një objekti e rrit sakrifica që bëjmë për ta pasur. Kur kemi punuar dhe kemi dhënë kohën tonë për ta blerë, sendi ka më shumë vlerë në sytë tanë. Kur e blejmë me nxitim, pa sakrificë, shpejt nuk na bën më përshtypje. Ky është, sipas tij, një nga efektet e konsumerizmit: blejmë më shumë, por kënaqësia që marrim është gjithnjë e më e vogël.
Klienti i informuar apo i painformuar?
Një nga pyetjet kryesore të bisedës ishte nëse tregu ka më shumë nevojë për klientin e informuar apo për atë të painformuarin. Radi pranoi se shumica e bizneseve e preferojnë klientin e painformuar, sepse atij mund t’i shesësh çfarë të duash. Megjithatë, ai solli edhe një këndvështrim tjetër, nga një mik i tij që merret me real estate jashtë vendit. Ky i fundit i tha se sa më i informuar të jetë klienti, aq më mirë është për ekonominë në tërësi, si për klientin, ashtu edhe për biznesin.
Oferta ka fuqi mbi konsumatorin
Sipas Radit, oferta është forca më e madhe që ndikon te konsumatori. Kur çmimi i një produkti bie, oferta merr kontrollin dhe fiton një lloj epërsie mbi blerësin. Ai shpjegoi edhe si llogaritet kjo në anën e biznesit. Një tregtar mund të bëjë zbritje për një produkt, duke ditur se ai produkt ka edhe aksesorë. Klienti hyn për ofertën, blen edhe aksesorët dhe në fund biznesi del sërish me fitim.
Strategjitë manipuluese: “Na kanë mbaruar”
Radi paralajmëroi edhe për strategji që i quajti manipuluese. Një produkt reklamohet si shumë i mirë dhe me çmim shumë të ulët. Kur konsumatori shkon në dyqan, shitësi i thotë se janë shitur të gjitha. Në atë moment ka shumë gjasa që blerësi, i ardhur tashmë për të blerë, të marrë diçka të ngjashme, zakonisht më të shtrenjtë.
Marketingu tradicional dhe ai digjital
Për Radin, marketingu tradicional mbetet baza, ndërsa marketingu digjital është thjesht më i shpejtë. Por shpejtësia e dytë ka edhe anën e saj të errët. “Jemi të përgjuar, në një mënyrë ose në një tjetër” Sipas tij, rrjetet sociale janë kthyer në motorë kërkimi. Ajo që kërkojmë në Google na shfaqet shpejt edhe në rrjetet tona sociale. “Ne jemi të përgjuar në një mënyrë ose në një tjetër. Ne survejohemi”, tha Radi.