Shopping Cart
Total:

$0.00

Items:

0

Your cart is empty
Keep Shopping

Sipërmarrësja Olta Shehaj: Nga mësuese gjermanishteje në themeluese të një qendre që ka trajnuar mbi 5 mijë studentë

Nga një mësuese e thjeshtë e gjuhës gjermane në Vlorë, sot Olta Shehaj është themeluese e “Halo Deutsch”, një qendër edukimi dhe mentorimi që ka ndihmuar mbi 5 mijë studentë në rrugëtimin e tyre drejt studimeve, punësimit dhe integrimit në vendet gjermanishtfolëse.
E ftuar në një podcast kushtuar sipërmarrjes dhe suksesit, Sheaj rrëfeu sfidat dhe arritjet e saj gjatë ndërtimit të biznesit që themeloi në vitin 2019.
“Me kalimin e kohës kuptova se kishte ardhur momenti të dilnim nga mësimdhënia tradicionale, ku fokusi është vetëm mësuesi dhe libri. Kisha një vizion të qartë për të sjellë një model modern të edukimit”, u shpreh ajo.
Sipas Shehajt, krijimi i besimit ishte pengesa më e madhe në fillimet e saj.
“Kur prindërit të besojnë edukimin e fëmijëve të tyre ose profesionistët të besojnë të ardhmen e tyre, duhet të flasësh me rezultate dhe jo vetëm me fjalë”, tha ajo.
Përveç ndërtimit të besimit, sfidë ishte edhe implementimi i metodave moderne të mësimdhënies, duke kombinuar teknologjinë, komunikimin real dhe qasjen vizuale në procesin mësimor.
Mbi 5 mijë studentë dhe qindra histori suksesi
Qendra e drejtuar nga Shehaj ka trajnuar më shumë se 5 mijë studentë, ndërsa mbi gjysma e tyre kanë emigruar ose janë integruar në Gjermani, Austri apo Zvicër përmes studimeve, punësimit ose bashkimit familjar.
“Fitore nuk është vetëm një kontratë pune apo një certifikatë. Fitore është edhe momenti kur studenti mposht frikën për të folur një gjuhë të huaj dhe fiton vetëbesim”, theksoi ajo.
Duke folur për rëndësinë e gjuhëve të huaja, Sheaj vlerësoi gjermanishten si një nga gjuhët me potencialin më të madh për zhvillim profesional.
“Gjermania është një fuqi botërore. Ka studentë që e mësojnë gjuhën me synimin për të studiuar apo punuar atje, por ka edhe nga ata që e kuptojnë se kjo gjuhë do t’u hapë shumë dyer në të ardhmen”, deklaroi ajo.
Më shumë se kurse gjuhe
Një nga veçoritë e “Halo Deutsch” është se nuk ofron vetëm mësim të gjuhës, por edhe mentorim të plotë gjatë procesit të emigrimit dhe integrimit.
Qendra asiston studentët dhe profesionistët në përgatitjen e dokumentacionit, intervistave të punës, procedurave të vizave dhe vazhdon t’i mbështesë edhe gjatë muajve të parë të qëndrimit në Gjermani.
“Ne e fillojmë me gjuhën dhe e përfundojmë me integrimin e tyre në Gjermani. Madje mbështetja vazhdon edhe pasi ata largohen nga Shqipëria”, shpjegoi sipërmarrësja.
Përveç asistencës për studentët, qendra po shërben gjithashtu si urë lidhëse mes sipërmarrësve shqiptarë dhe tregut gjerman.
Sipas Shehajt, bizneset shqiptare mund të marrin mbështetje për prezantimin e produkteve, komunikimin profesional dhe zgjerimin në tregjet gjermanishtfolëse.
Plane të reja dhe zgjerim
Një nga projektet e ardhshme të “Halo Deutsch” është iniciativa “Train the Trainer”, e cila synon të trajnojë mësues, mentorë dhe profesionistë të rinj shqiptarë për të zhvilluar aftësitë e tyre në edukim dhe komunikim.
Ndërkohë, qendra po planifikon zgjerimin fizik të aktivitetit, me qytetin e parë të përzgjedhur për hapjen e një filiali të ri që pritet të jetë Lushnja.
Në fund të intervistës, Olta Shehaj dha një mesazh për të rinjtë që duan të ndërtojnë biznesin e tyre:
“Mos prisni momentin perfekt, sepse ai nuk ekziston. Momenti perfekt është ai kur filloni të zbatoni idenë tuaj. Por mos hiqni dorë as nga zhvillimi profesional dhe personal, sepse të dyja duhet të ecin paralelisht për të arritur suksesin.”
0
Show Comments (0) Hide Comments (0)
0 0 votes
Article Rating
Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Stay Updated!

Subscribe to get the latest blog posts, news, and updates delivered straight to your inbox.