Shopping Cart
Total:

$0.00

Items:

0

Your cart is empty
Keep Shopping

Neri Behringer: Ti duhet t’i ndërtosh vetë shkallët dhe pastaj t’i ngjitësh

Në episodin e radhës të podcastit me Xhulio Radin, e ftuar ishte Neri Berhinger, e cila ndau këndvështrimin e saj mbi botën shpirtërore, emocionet, traumat dhe procesin e shërimit të njeriut. Gjatë bisedës, ajo theksoi se nuk e sheh veten si dikush që shëron njerëzit, por si një urë lidhëse.
“Unë jam thjesht një urë lidhëse mes botës së përtejme dhe botës shpirtërore.”
Sipas saj, një nga bllokimet më të mëdha që përjeton njeriu është vetja. Problemet psikologjike, traumat, ankthi dhe frika krijojnë emocione të papërpunuara që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën tonë. Nëse nuk mësojmë t’i zgjidhim dhe të çlirohemi prej tyre, ato vazhdojnë të na dëmtojnë.
Neri shpjegoi se errësira dhe drita ndodhen brenda secilit prej nesh. Drita gjithmonë kërkon të dalë në pah, por shpesh errësira e pengon atë. Për këtë arsye, sipas saj, puna më e madhe është të njohësh veten.
Ajo vuri në dukje edhe ndryshimin që po ndodh te shqiptarët, duke thënë se gjithnjë e më shumë njerëz po kuptojnë se për shumë vite kanë jetuar jetën që kanë dashur prindërit e tyre dhe jo atë që kanë dashur vetë.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit u fokusua te familja dhe raporti me detyrimin.
“Familja është shumë e rëndësishme, por kujdesi ndaj saj nuk duhet të vijë nga detyrimi. Është e bukur të kujdesesh për njerëzit e dashur, por nuk kemi pse ta detyrojmë veten. Gjithçka që bëjmë për të tjerët duhet ta bëjmë me dëshirë.”
Sipas saj, kur një njeri vazhdon të bëjë gjëra vetëm sepse ndihet i detyruar, vjen një moment kur sistemi nervor nuk e përballon më këtë ngarkesë. Emocionet mund të shtypen për pesë apo dhjetë vite, por ato do të shkarkohen diku dhe dëmi mund të jetë shumë më i madh.
Neri u ndal edhe te rëndësia e vëzhgimit të vetes.
Ajo shpjegoi se realiteti është shumë më i madh sesa mënyra se si ne e perceptojmë dhe se është shumë e rëndësishme ta shohim veten si një person të tretë. Vetëm kështu mund të kuptojmë edhe të tjerët pa i gjykuar.
“Vëzhgimi është treçereku i punës. Vëzhgimi pa gjykim të sjell qartësi, sepse truri nuk është më në modusin e luftës.”
Sipas saj, pasi kupton veten, arrin të kuptosh edhe të tjerët.
Një tjetër temë që trajtoi ishte mirënjohja, të cilën e quajti frekuencën më të lartë.
Ajo tha se njerëzit shpesh punojnë pa pushim për të arritur gjithmonë më shumë, duke harruar të jenë mirënjohës për atë që kanë. Sipas saj, mirënjohja nuk e pengon manifestimin, por përkundrazi e forcon atë dhe është pjesë e procesit të ndryshimit të gjendjes së brendshme.
Gjatë bisedës, Neri foli edhe për ciklet që njerëzit përsërisin në jetë.
Ajo solli si shembull marrëdhëniet sentimentale, ku shumë gra zgjedhin vazhdimisht të njëjtin tip partneri, jo sepse janë rastësi, por sepse po rikthehen te e njëjta plagë e pashëruar. E njëjta gjë, sipas saj, ndodh edhe në biznes: nëse përdoren vazhdimisht të njëjtat metoda pa ndryshuar asgjë, rezultati do të jetë po ai.
“Rruga jote nuk është ende e jotja. Ti duhet t’i ndërtosh vetë shkallët dhe pastaj t’i ngjitësh.”
Ajo shtoi se secili njeri mbart traumat e veta dhe se shpirti është në vetëdije të gjallë. Sipas bindjes së saj, disa cikle mund të lidhen edhe me jetët e kaluara.
Duke folur për punën me klientët, Neri tregoi se shumë prej tyre nuk dinë ta shpjegojnë pse kanë ardhur.
“Ata më thonë: ‘Nuk e di si mund të më ndihmosh.’ Unë besoj shumë te shpirti. Në një seancë kërkoj që shpirti të hapë një derë. Duke kuptuar ku ndodhen problemet, është si një skaner që tregon se ku është bllokimi. Më pas bëhet pastrimi energjetik dhe në këtë mënyrë mund të hapen dyer të tjera.”
Podcasti me Xhulio Radin solli një diskutim të gjatë mbi vetëdijen, emocionet, marrëdhënien me familjen, mirënjohjen, traumat dhe mënyrën se si, sipas Nerit, njeriu mund të kuptojë më mirë veten përmes një procesi të thellë shpirtëror.

0
Show Comments (0) Hide Comments (0)
0 0 votes
Article Rating
Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Stay Updated!

Subscribe to get the latest blog posts, news, and updates delivered straight to your inbox.