Në një kohë kur kostoja e jetesës rritet, blerja e një shtëpie duket gjithnjë e më e paarritshme dhe kursimi është kthyer në sfidë për shumë familje shqiptare, edukimi financiar bëhet më i rëndësishëm se kurrë. Si mund t’i menaxhojmë më mirë të ardhurat? A është depozita bankare mënyra më e mirë për të ruajtur paratë? Çfarë duhet të dimë përpara se të marrim një kredi dhe a po humbasin vlerë kursimet tona duke qëndruar të papërdorura?
Këto ishin disa nga çështjet e diskutuara në Podcast me Jonën, në rubrikën “A ja vlen?”, e mundësuar nga platforma IA VLEN, e cila ka si mision të sjellë informacion me vlerë, të edukojë dhe të orientojë qytetarët përpara vendimeve të tyre financiare.
I ftuar në studio ishte eksperti i ekonomisë, Ergis Sefa, me të cilin u zhvillua një bisedë e gjerë mbi problematikat ekonomike që prekin përditshmërinë e shqiptarëve, nga kursimet dhe investimet, te kreditë, pensionet, remitancat dhe tregu i pasurive të paluajtshme.
Blerja e një shtëpie, një ëndërr gjithnjë e më e largët për të rinjtë
Një nga temat e para të diskutimit ishte vështirësia që hasin çiftet e reja për të blerë një banesë në Shqipëri. Sipas Sefës, me kostot aktuale të tregut, edhe një çift që mbështetet disi nga familja mund të ketë nevojë për më shumë se 20 vite për të siguruar një apartament 1+1, me sipërfaqe rreth 60–70 metra katrorë, në një zonë periferike të Tiranës.
Eksperti theksoi se fakti që të rinjtë duhet të punojnë dy apo tre punë vetëm për të përballuar jetesën dhe për të krijuar disa kursime nuk është tregues pozitiv për ekonominë. Sipas tij, puna e dytë apo e tretë duhet të shërbejë për të shtuar pasurinë dhe për të krijuar mundësi investimi, jo thjesht për të përballuar shpenzimet bazë.
Pse nuk arrijmë të kursejmë? Problemi nuk është vetëm paga
Një tjetër çështje ishte mënyra se si shqiptarët i menaxhojnë të ardhurat e tyre. Sipas ekonomistit, shoqëria është orientuar gjithnjë e më shumë drejt konsumizmit. Shpesh blejmë produkte që nuk janë të domosdoshme në atë moment, vetëm sepse na është krijuar dëshira për t’i pasur. Ai sugjeroi që qytetarët të mësojnë të prioritizojnë shpenzimet, duke dalluar nevojat e menjëhershme nga ato që mund të shtyhen për një muaj apo edhe më gjatë. Një element tjetër i rëndësishëm është buxhetimi. Kjo është një aftësi që, sipas Sefës, nuk kërkon studime të specializuara, por praktikë dhe disiplinë të përditshme. Edhe blerjet e zakonshme në supermarket mund të bëhen më ekonomike nëse konsumatori krahason çmimet, kërkon alternativa dhe ruan cilësinë e produktit pa paguar domosdoshmërisht më shumë.
Depozita bankare apo investim? A mjafton të mbajmë paratë në bankë?
Një nga pjesët më interesante të bisedës iu kushtua mënyrave se si mund të përdoren kursimet. Sipas shpjegimit të ekonomistit, normat e interesit për llogaritë e kursimit në bankat shqiptare mund të arrijnë rreth 3.7–4% në vit në ofertat më të favorshme, ndërsa inflacioni lëviz rreth 3–3.2%. Kjo do të thotë se fitimi real nga kursimet mund të jetë shumë i kufizuar, nëse llogaritet edhe humbja e fuqisë blerëse nga inflacioni. Sefa foli gjithashtu për fondet e investimit që operojnë në Shqipëri, duke i konsideruar ato një alternativë që qytetarët duhet ta njohin dhe ta studiojnë.
Sipas tij, ekzistojnë fonde të licencuara që ofrojnë produkte me nivele të ndryshme rreziku dhe mundësi investimi. Ai përmendi se investimi mund të nisë edhe me shuma relativisht të vogla dhe të bëhet gradualisht, për shembull çdo muaj, në vend që të investohen të gjitha kursimet menjëherë. Megjithatë, ai theksoi rëndësinë e informimit përpara çdo vendimi investimi.
Mesazhi i tij ishte i qartë: paratë që qëndrojnë të papërdorura humbasin gradualisht fuqinë e tyre blerëse.
Kredia nuk duhet marrë vetëm duke parë këstin mujor
Në bisedë u trajtua edhe një gabim i zakonshëm që bëjnë qytetarët kur marrin kredi: përqendrohen te kësti mujor ose te norma nominale e interesit, pa llogaritur koston e plotë të financimit. Sipas Sefës, përpara se të merret një kredi, duhet të analizohet norma efektive e interesit, e cila përfshin edhe kostot e tjera të lidhura me kredinë. Ai solli si shembull rastin e një biznesi të ri, duke theksuar se përpara se të merret një kredi për investim duhet të përgatitet të paktën një studim paraprak fizibiliteti dhe një plan biznesi.
Qytetari duhet të analizojë nëse aktiviteti që dëshiron të hapë do të gjenerojë të ardhura të mjaftueshme për të shlyer kredinë dhe për të siguruar fitim. Një tjetër këshillë ishte që të mos merret një kredi pa analizuar edhe skenarët e viteve të ardhshme. Të ardhurat mund të ndryshojnë, biznesi mund të përballet me vështirësi dhe kostot e financimit mund të rriten.
Nga 400 në 700 euro kësti i kredisë. Pse ndodhin këto ndryshime? Një nga pyetjet që prek drejtpërdrejt shumë familje ishte rritja e kësteve të kredive për shtëpi. Jona solli shembullin e disa miqve të saj, të cilëve kësti mujor i kredisë kishte kaluar nga 400 në 700 euro.
Sefa shpjegoi se kjo lidhet me dallimin ndërmjet normave fikse dhe atyre të ndryshueshme të interesit.Në disa raste, bankat ofrojnë një normë interesi të pandryshueshme për dy ose tre vitet e para. Pas përfundimit të kësaj periudhe, kredia mund t’i nënshtrohet kushteve të tregut dhe ndryshimeve të normave bazë të interesit. Sipas tij, këto ndryshime ndikohen edhe nga vendimet e Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Qendrore Evropiane, në varësi të monedhës në të cilën është marrë kredia.Inflacioni është një nga faktorët që ndikon në vendimet e bankave qendrore për rritjen ose uljen e normave të interesit.Prandaj, përpara se të firmoset një kontratë kredie, qytetarët duhet të kuptojnë nëse norma është fikse apo e ndryshueshme, sa zgjat periudha e normës fikse dhe çfarë ndodh më pas.
Një kontratë kredie nuk duhet firmosur pa u lexuar dhe kuptuar çdo kusht i saj.
Pensionet dhe minimumi jetik: A mund të sigurohet një pleqëri dinjitoze? Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua pensionistëve dhe vështirësive ekonomike me të cilat përballen.Sefa e cilësoi sistemin e pensioneve si një nga problemet e mëdha strukturore të vendit, duke theksuar se rritjet e parashikuara nuk e zgjidhin problemin në themel. Gjatë bisedës, ai foli për rritjen e parashikuar të pensioneve në buxhetin e vitit 2027, duke përmendur shifra të ndryshme sipas kategorive të pensioneve. Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për tavanet e përcaktuara, të cilat mund të përjashtojnë një pjesë të pensionistëve nga përfitimi i rritjes. Një tjetër problem i rëndësishëm, sipas tij, është mungesa e një minimumi jetik të përcaktuar zyrtarisht në Shqipëri.
Pa një standard të qartë të kostos minimale të jetesës, është e vështirë të përcaktohet nëse të ardhurat e një pensionisti janë të mjaftueshme për të përballuar nevojat bazë.Sipas ekonomistit, nevojiten reforma strukturore në sistemin e pensioneve dhe jo thjesht masa që shtyjnë përkohësisht problemin.
Remitancat, një mbështetje e rëndësishme, por jo zgjidhje afatgjatë
Shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në ekonominë familjare të shumë familjeve në Shqipëri. Sipas Sefës, remitancat kanë arritur nivele të konsiderueshme, duke u luhatur rreth 1 miliard euro në vit, por kjo mbështetje nuk mund të konsiderohet një zgjidhje afatgjatë për problemet ekonomike të vendit.Ai ngriti një shqetësim: nëse paratë që vijnë nga emigrantët përdoren kryesisht për ushqim dhe nevoja bazë, kjo tregon se diçka nuk funksionon në strukturën ekonomike të vendit.Për më tepër, edhe emigrantët kanë familjet dhe shpenzimet e tyre në vendet ku jetojnë. Ata nuk mund të mbështesin pafundësisht prindërit dhe të afërmit në Shqipëri, ndërkohë që përballojnë koston e jetesës jashtë vendit.
Euro apo lek? Në çfarë monedhe duhet t’i mbajmë kursimet?
Një tjetër diskutim që prek drejtpërdrejt qytetarët ishte dobësimi i euros kundrejt lekut dhe ndikimi i tij në kursimet familjare. Sefa shpjegoi se forcimi i lekut nuk është reflektuar në të njëjtën masë në uljen e çmimeve të produkteve të importuara. Sipas tij, një pjesë e madhe e produkteve që konsumojnë shqiptarët vijnë nga importi, kryesisht nga vendet e Bashkimit Evropian. Në kushte normale, dobësimi i euros duhet të ndikojë në uljen e kostos së importit dhe, në njëfarë mase, edhe në çmimet për konsumatorët. Megjithatë, ai ngriti shqetësimin për mungesën e reflektimit të këtij ndryshimi në treg dhe për rolin që kanë importuesit e mëdhenj dhe operatorët e tregtimit në formimin e çmimeve. Për sa i përket kursimeve, rekomandimi i tij ishte që qytetarët të mos marrin vendime vetëm nga frika e luhatjeve valutore, por të analizojnë monedhën në të cilën kanë të ardhurat, shpenzimet dhe detyrimet e tyre. Ai shprehu gjithashtu mendimin se, në kushtet aktuale, mbajtja e kursimeve në lekë mund të jetë një zgjedhje më e favorshme sesa euro, duke pasur parasysh pritshmëritë e tij për ecurinë e kursit të këmbimit.
Çmimet e ushqimeve në Shqipëri, më të larta se në disa vende të BE-së?
Një nga deklaratat më të forta të intervistës lidhej me raportin mes çmimeve në Shqipëri dhe atyre në Bashkimin Evropian. Sefa iu referua të dhënave të Eurostatit, sipas të cilave, ndërsa rreth 15 vite më parë çmimet e shportës bazë në Shqipëri ishin afërsisht 68–70% e nivelit mesatar të BE-së, sot ky raport, sipas shifrave që ai përmendi, ka arritur në rreth 103.5%. Pra, për të njëjtën kategori produktesh, konsumatori shqiptar mund të paguajë një çmim të barabartë ose edhe më të lartë se një konsumator në Bashkimin Evropian, ndërkohë që të ardhurat dhe pagat në Shqipëri mbeten ndjeshëm më të ulëta.
Ky kontrast ngre pikëpyetje serioze për fuqinë blerëse të familjeve shqiptare dhe për mënyrën se si funksionon tregu i produkteve bazë.
Tregu i apartamenteve: A do të stabilizohen çmimet?
Çmimet e pasurive të paluajtshme ishin një tjetër temë e diskutuar gjerësisht. Sipas Sefës, tregu po kalon një fazë stabilizimi pas rritjeve shumë të forta të viteve të fundit. Ai përmendi se, ndërsa në disa periudha çmimet janë rritur me 30–40% nga viti në vit, aktualisht rritja është ngadalësuar dhe, sipas vlerësimit të tij, lëviz në intervalin 6–8%. Ekonomisti parashikoi se në dy ose tre vitet e ardhshme mund të ketë një diferencim më të madh mes zonave të ndryshme. Zonat periferike mund të ofrojnë mundësi më të përballueshme për blerësit, ndërsa qendra e Tiranës dhe disa zona bregdetare pritet të ruajnë çmime të larta për shkak të kërkesës.
Ai përmendi gjithashtu ndikimin që mund të ketë taksimi i pronave të dyta, të treta dhe pronave luksoze. Sipas tij, nëse kjo politikë zbatohet në mënyrë efektive, mund të nxisë daljen në treg të një pjese të apartamenteve që aktualisht qëndrojnë të mbyllura, duke shtuar ofertën për shitje ose qira. Gjatë bisedës u përmend edhe një vlerësim për mbi 50 mijë apartamente të pashfrytëzuara në zonën Tiranë–Durrës, një potencial që, nëse do të vihej në funksion të tregut, mund të ndikonte në raportin mes ofertës dhe kërkesës.
Paratë që qëndrojnë në bankë nuk ruajnë domosdoshmërisht vlerën e tyre
Në fund të intervistës, Jona solli një shembull të thjeshtë: nëse një person ka 10 mijë euro në bankë dhe pas pesë vitesh ka përsëri po 10 mijë euro, a do të thotë kjo se nuk ka humbur asgjë?
Përgjigjja e ekonomistit ishte e prerë: jo. Inflacioni ul gradualisht fuqinë blerëse të parasë. Me kalimin e viteve, e njëjta shumë parash mund të blejë më pak produkte dhe shërbime. Për këtë arsye, ai këshilloi qytetarët të informohen për mundësitë e investimit, të shqyrtojnë fondet e investimit, të mendojnë për një biznes të vogël dhe të mos i lënë kursimet pa një plan. Megjithatë, ai theksoi se çdo investim ka kushtet dhe nivelin e vet të rrezikut, ndaj vendimi duhet të merret vetëm pasi të jenë kuptuar produkti financiar, kostot dhe mundësia e humbjes.
“A ja vlen?” – Informohu përpara se të marrësh një vendim financiar
Biseda me ekonomistin Ergis Sefa tregoi se edukimi financiar nuk është një çështje që u përket vetëm ekspertëve apo njerëzve që kanë shumë para. Ai lidhet me vendimet e përditshme të çdo familjeje: si shpenzojmë, si kursejmë, ku investojmë dhe çfarë firmosim në bankë. Në këtë kontekst, rubrika “A ja vlen?”, e mundësuar nga platforma IA VLEN, synon të sjellë për publikun informacion praktik dhe orientim për çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në ekonominë personale dhe familjare. Përmes bisedave me ekspertë të fushave të ndryshme, qëllimi nuk është t’u tregojë qytetarëve se çfarë vendimi duhet të marrin, por t’i ndihmojë të kuptojnë më mirë alternativat që kanë përpara.
Sepse, përpara se të marrësh një kredi, të investosh kursimet apo të firmosësh një kontratë, duhet të dish çfarë po zgjedh.
IA VLEN – Informohu, krahaso dhe vendos me përgjegjësi.