Një studim i ri ka zbuluar se plakja lë gjurmë të veçanta në gjenet e njerëzve dhe të disa gjitarëve të tjerë. Ky zbulim mund të ndihmojë shkencëtarët të vlerësojnë jo vetëm moshën biologjike të një personi, por edhe jetëgjatësinë e tij.
Studimi u realizua nga një ekip ndërkombëtar studiuesish, i udhëhequr nga Shkolla Mjekësore e Harvardit. Ata analizuan mbi 11 mijë mostra të indeve të marra nga njerëzit, brejtësit dhe primatët.
Gjatë kërkimit, shkencëtarët zbuluan se me kalimin e viteve ndryshon aktiviteti i disa gjeneve. Disa prej tyre lidhen me inflamacionin, plakjen e qelizave dhe vdekjen natyrale të tyre. Ndërkohë, gjenet që ndihmojnë në rigjenerimin e indeve dhe riparimin e organizmit bëhen më pak aktive.
Bazuar në këto rezultate, studiuesit krijuan një metodë të re që mund të masë moshën biologjike të organizmit. Kjo metodë mund të ndihmojë edhe në parashikimin e jetëgjatësisë dhe në vlerësimin e efektit të trajtimeve që synojnë të ngadalësojnë plakjen.
Ekspertët besojnë se ky zbulim mund të hapë rrugën për zhvillimin e terapive të reja kundër plakjes. Megjithatë, ata theksojnë se ende nuk dihet nëse këto ndryshime në gjene janë shkaku i plakjes apo thjesht pasojë e saj. Rezultatet e studimit janë publikuar në revistën shkencore Nature.