Kozeta Miliku, shkencëtarja shqiptare me origjinë nga Korça, është renditur nga prestigjiozja The Globe and Mail si një nga pesë shkencëtaret më premtuese në Kanada. Në një intervistë ekskluzive për gazetarin Xhensil Shkëmbi, Miliku tregon se puna e saj mbi ndikimin e ushqimeve ultraprocesuara në shëndetin e fëmijëve ka ngjallur debat në shkallë kombëtare.
“Është një arritje e madhe. Ndihem krenare që puna ime është vlerësuar në këtë mënyrë,” thotë Miliku. Studimet e saj fokusohen në origjinën e sëmundjeve, kryesisht obezitetin dhe astmën te fëmijët e vegjël. Një nga artikujt më të cituar të saj analizon sesi ushqimet e përpunuara, të disponueshme gjerësisht në supermarkete, ndikojnë negativisht në shëndetin e fëmijëve deri në moshën tre vjeç.
Rruga e saj drejt suksesit ka kaluar përmes Tiranës dhe Holandës, ku përfitoi një bursë nga Komiteti Europian pas rezultateve të shkëlqyera në Fakultetin e Mjekësisë. Në vitin e fundit të studimeve iu ofrua një vend pune në Kanada, ku sot punon si pjesë e zyrave qendrore kërkimore.
E pyetur për rikthimin në atdhe, ajo thotë: “E kam menduar rikthimin, më ka shkuar në mendje, jo për aspektin e vlerësimit por në Shqipëri i kemi të gjithë.”
Kozeta është gjithashtu nënë e një vajze tre vjeçe. Edhe pse e lidhur fort me rrënjët dhe familjen në Shqipëri, ajo thotë se Kanadaja i ka ofruar gjithçka – si shkencëtare, grua dhe nënë.//euronews