Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka zhvilluar një takim me sportistët shqiptarë që do të përfaqësojnë vendin në Lojërat Mesdhetare 2026, që zhvillohen në Taranto të Italisë.
Në prag të nisjes së garave, Gonxhja ka ndarë në rrjetet sociale momente nga takimi me ekipin shqiptar, duke theksuar se këtë vit Shqipëria merr pjesë me një prej delegacioneve më të mëdha në historinë e saj në këtë kompeticion.
Sportistët kuqezi do të garojnë në disa disiplina, me synimin për të përfaqësuar denjësisht Shqipërinë dhe për të siguruar rezultate sa më të mira.
Një nga veçoritë e këtij edicioni është mënyra e akomodimit të delegacioneve. Sportistët do të qëndrojnë në kroçerën gjigante AROYA, e cila për këtë aktivitet është përshtatur si një “fshat” modern për pjesëmarrësit.
Ministri Gonxhja u ka uruar sportistëve suksese në garat e tyre, duke shprehur shpresën për rezultate të larta dhe medalje për Shqipërinë.
Me flamurin kuqezi në zemër, ekipi shqiptar synon të bëjë një paraqitje sa më dinjitoze në Lojërat Mesdhetare 2026.