Nga 1 korriku ka hyrë në fuqi marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për njohjen reciproke të periudhave të sigurimit shoqëror për efekt pensioni. Qytetarët shqiptarë që kanë punuar në të dyja vendet, por nuk plotësojnë kriteret minimale për pension në asnjërin shtet, tashmë mund të bashkojnë vitet e sigurimit për të përfituar nga të dy sistemet.

Marrëveshja u vjen në ndihmë atyre emigrantëve që, për shembull, kanë 14 vite punë të siguruara në Shqipëri dhe 19 vite në Itali – numër që në mënyrë të veçuar nuk mjafton për përfitim pensioni sipas ligjeve respektive (minimumi 15 vite në Shqipëri dhe 20 vite në Itali). Pas bashkimit të periudhave, çdo shtet do të llogarisë dhe japë pjesën përkatëse të pensionit, sipas kontributeve të derdhura në territorin e vet.
Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, sqaroi se aplikimi për bashkimin e kontributeve do të bëhet online nga shteti ku qytetari jeton, pa qenë nevoja për paraqitje fizike në institucione. “Aplikimi bëhet në Itali për ata që jetojnë atje, përmes institucionit homolog IMSI, dhe më pas dokumentacioni shkëmbehet në mënyrë elektronike me palën shqiptare”, tha ai.
Sipas Hados, kjo marrëveshje përfshin jo vetëm pensionet e pleqërisë, por edhe ato të invaliditetit, pensionet familjare dhe sigurimet për papunësinë. Numri i mundshëm i përfituesve nga kjo marrëveshje llogaritet rreth 500 mijë shqiptarë që kanë emigruar e punuar në Itali gjatë dekadave të fundit.
Emigranti i parë që përfitoi nga ky sistem i ri ka bërë tashmë aplikimin në Itali për bashkimin e periudhave kontributive. Drejtuesit e ISSH theksojnë se ky proces do të thjeshtojë burokracinë dhe do t’i hapë rrugën përfitimit të drejtë të pensioneve për mijëra qytetarë që më parë ishin jashtë skemës.
Burimi: Shqiptarja.com