Gian Maria Guarini është një udhëtar italian nga Tresigallo, i pasionuar pas aventurave të gjata dhe të pazakonta. Pas eksperiencës së tij me një Renault 4 drejt Capo Nord, këtë vit ai ka nisur një rrugëtim të jashtëzakonshëm prej 12 mijë kilometrash me biçikletë, i vetmuar dhe pa sponsorë, duke kaluar nëpër Ballkan e Europën Lindore për të mbërritur sërish në pikën më veriore të kontinentit. Për të, udhëtimet nuk janë thjesht kilometra, por një mënyrë për të njohur kultura, njerëz dhe vende të reja.
Në Instagram ai ka përvojën në Shqipëri duke treguar se ditët nuk kanë qenë gjithmonë të lehta: pas një nate të shqetësuar në një hostel në Tiranë, u nis drejt Elbasanit duke ndjekur një rrugë malore të vështirë ku humbi dy orë dhe shumë energji. Megjithatë, në mbrëmje arriti në qytet dhe gjeti një vend të rehatshëm për t’u pushuar.

Rrugëtimi e çoi më pas në Pogradec, pranë liqenit të Ohrit. Një etapë e lodhshme për shkak të terrenit me shumë ngjitje, por që u shpërblye nga bukuria e liqenit dhe pamja panoramike mbi qytet, ku kaloi natën. “Peizazhi ishte mahnitës dhe më shpërbleu për gjithë lodhjen”, shkruan ai.
Edhe shiu nuk mungoi, duke e shoqëruar në mëngjesin pasues. Guarini tregon se gjatë një momenti rrezikoi një aksident kur një makinë i kaloi shumë pranë: “Në një çast u gjenda në tokë, unë dhe biçikleta mes baltës, për fat pa pasoja të mëdha”.
Udhëtimi në Shqipëri vazhdoi deri në Korçë, ku vendosi të ndalej për t’u rikuperuar. Një zonjë e sjellshme e ndihmoi të kontaktonte pronarin e hostel-it, ndërsa në qytet bëri një prerje flokësh në një berberhane tipike të viteve ’70. Edhe pse nuk flisnin as anglisht e as italisht, gjetën mënyrën për t’u kuptuar.
Guarini përshkruan Korçën si një qytet plot jetë, ku vizitoi edhe fabrikën e birrës, duke shijuar ushqimin dhe birrën lokale.
“Pas një vakti të mirë dhe një gjumi të rehatshëm, humori më ndryshoi”, tregon ai. “Fatkeqësisht është qyteti i fundit shqiptar para kufirit grek. Por jam shumë i lumtur për vendet që pashë dhe njerëzit që takova. Do të rikthehem.”
Për Gian Marian, Shqipëria mbetet një kapitull i veçantë i udhëtimit të tij: plot vështirësi, por edhe plot bukuri dhe mikpritje që i dhanë forcë për të mos u dorëzuar. Aventura vazhdon…