Farmacistja dhe aktivistja Denisa Zholi ngriti alarmin për gjendjen e shëndetësisë në Shqipëri gjatë një interviste në “Podcast me Jonën”. Ajo foli për vështirësitë që përjetojnë çdo ditë pacientët, sidomos pensionistët dhe familjet e reja, të cilët shpesh nuk kanë mundësi të blejnë barnat që u nevojiten.
Sipas Zholit, një nga pamjet më të dhimbshme që has çdo ditë në farmaci është kur pensionistët marrin ilaçet “me listë”, duke premtuar se do t’i paguajnë vetëm pasi të marrin pensionin.
“Ka shumë gjyshër që më thonë: ‘Shënoji aty, do t’i sjell lekët kur të marr pensionin.’ Nuk mund ta lësh një njeri pa ilaçe, ndaj detyrohesh t’ia japësh,” u shpreh ajo.
Farmacistja theksoi se kjo nuk është një situatë e rastësishme, por një problem që përsëritet çdo muaj. Sipas saj, shumë të moshuar mezi arrijnë të sigurojnë ilaçet, ndërsa ushqimet apo nevojat e tjera mbeten në plan të dytë.
Denisa Zholi foli edhe për prindërit e rinj, të cilët shpesh detyrohen të zgjedhin vetëm një pjesë të barnave që u përshkruhen fëmijëve.
“Ka raste kur marrin vetëm antibiotikun, sepse nuk kanë mundësi të blejnë edhe vitaminat apo barnat e tjera që shoqërojnë trajtimin. Gjithçka lidhet me mungesën e të ardhurave,” tha ajo.
Sipas farmacistes, suplementet ushqimore në shumë raste kushtojnë edhe më shtrenjtë se vetë ilaçi kryesor, duke rënduar edhe më shumë buxhetin e familjeve shqiptare.
Një tjetër problem që ajo ngriti ishte mungesa e barnave të rimbursueshme dhe zëvendësimi i tyre me alternativa që pacientët nuk i preferojnë ose që kanë kosto më të lartë.
“Pensionistët sorollaten nga mjeku në farmaci dhe anasjelltas. Shumë ilaçe mungojnë në treg dhe pacientët detyrohen të blejnë alternativa më të shtrenjta,” shpjegoi Zholi.
Ajo ndau edhe shqetësimin për rritjen e përdorimit të barnave për ankthin dhe depresionin, sidomos te të rinjtë pas pandemisë.
“Shoh gjithnjë e më shumë receta me barna psikotike. Të rinjtë kanë shumë stres, por shpesh kanë edhe turp të kërkojnë ndihmë tek specialisti,” tha farmacistja.
Denisa Zholi u ndal edhe te fenomeni i vetëmjekimit dhe përdorimit pa kriter të antibiotikëve, duke paralajmëruar se kjo krijon rezistencë ndaj trajtimit dhe dëmton shëndetin në afat të gjatë.
Në pjesën politike të bisedës, ajo lidhte problemet e shëndetësisë me mënyrën se si është qeverisur vendi ndër vite.
“Këto janë kusuret e kastës politike. Shqipëria ka nevojë për një frymë të re, ku qytetari, pensionisti dhe familja të jenë prioritet,” deklaroi ajo.
Denisa Zholi u shpreh optimiste se të rinjtë mund të sjellin ndryshim, ndërsa theksoi se shëndetësia, arsimi dhe mirëqenia e qytetarëve duhet të jenë në qendër të çdo politike publike.