Në episodin më të fundit të “Podcastit të Suksesit”, pata të ftuar Ana Llazon – eksperte edukimi dhe një zë i angazhuar për përmirësimin e sistemit arsimor në Shqipëri. Gjatë bisedës, Ana foli hapur për sfidat që përjeton arsimi sot, duke theksuar se ende ka shumë për të përmirësuar, sidomos kur bëhet fjalë për komunikimin me të rinjtë dhe adoleshentët. Sipas saj, kjo është një hallkë që shpesh lihet pas dore, por ka ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e tyre.
Një nga temat që trajtuam ishte bullizmi, dhe Ana u ndal për një moment në përvojën e saj personale. Ajo tregoi se në adoleshencë ka qenë një vajzë e urtë dhe me shumë dëshirë për të mësuar, por që shpesh është ndjerë e përjashtuar për shkak të disa kilogramëve më shumë. “Kam qenë e bullizuar,” rrëfeu ajo me sinqeritet, “dhe kjo më ka bërë të ndihem keq me veten në ato vite.”
E pyetur se çfarë mesazhi do t’i jepte një vajze që sot përballet me të njëjtin problem, Ana u përgjigj me një qëndrim të qartë: “Duhet ta pranojmë veten. Secili prej nesh është i bukur në mënyrën e vet, i veçantë në llojin e vet. Nuk kemi pse krahasohemi me askënd.”
Në pjesën tjetër të intervistës, u ndalëm te profesioni i saj si mësuese – një thirrje që ajo nuk do ta linte kurrë. “Kam 15 vite që e ushtroj këtë profesion. Sigurisht që ndjej lodhje, por kurrë nuk më ka shkuar ndërmend ta lë. Mesuesit kanë nevojë për motivim, jo vetëm nga paga, por edhe nga mënyra si trajtohen, si komunikojnë me institucionet dhe komunitetin,” tha Ana.
Megjithatë, ajo mbetet optimiste për të ardhmen. Përkundër sfidave, ajo beson se arsimi është në një proces të vazhdueshëm përmirësimi dhe se me angazhim të përbashkët mund të arrijmë një sistem më të fortë dhe më të drejtë për të gjithë. Ana Llazo është një zë që flet me pasion, eksperiencë dhe reflektim – pikërisht ajo çfarë arsimi ka nevojë sot.