Shumë pak e dinë se YouTube, sot platforma më e madhe e videove në botë, nisi jetën si një faqe takimesh me video. Bashkëthemeluesit Steve Chen, Chad Hurley dhe Jawed Karim kishin ideuar një hapësirë ku njerëzit do ngarkonin video prezantuese për të gjetur partner. Por ideja nuk pati sukses, madje edhe kur ofruan shpërblime monetare për përdoruesit që të ngarkonin përmbajtje.
Në fillim, situata ishte dekurajuese. Sipas vetë themeluesve, në platformë kishte vetëm 40 video, dhe askush nuk dukej i interesuar. Në një intervistë të rrallë, ata e përshkruajnë veten si “të depresionuar” nga mungesa e reagimit. Ishte ky moment që i shtyu të ndryshonin qasje.
Vendimi për të lejuar çdo lloj videoje, jo vetëm ato të njohjeve, ishte pikëkthesa që ndryshoi gjithçka. Vetëm pak muaj më vonë, YouTube filloi të shpërthente në popullaritet, duke tërhequr miliona përdorues dhe duke u shndërruar në qendrën globale të përmbajtjes video që njohim sot.
Videoja e parë e ngarkuar, “Me at the zoo” nga Jawed Karim më 23 prill 2005, shënoi fillimin e një epoke të re në internet. Nga një nisje modeste dhe gati e harruar, YouTube u rrit në një platformë me miliarda përdorues, duke provuar se edhe idetë që fillimisht dështojnë mund të kthehen në histori suksesi botëror.