Shopping Cart
Total:

$0.00

Items:

0

Your cart is empty
Keep Shopping

Rei Canka: Mos u shqetësoni për mendimin e të tjerëve, ndërtoni diçka që ju bën krenarë

Në një kohë kur shumica e adoleshentëve kalojnë orë të tëra në rrjetet sociale si konsumatorë të përmbajtjes, ka edhe të rinj që zgjedhin të ndërtojnë, të krijojnë dhe të sfidojnë veten. Njëri prej tyre është Rei Canka, gjimnazist, sipërmarrës dhe themelues i startup-it Hover, i cili ishte i ftuari i radhës në podcastin “Success Made in Albania”.
Në një bisedë të hapur me Xhulio Radin, Rei tregoi rrugëtimin e tij nga pasioni për zhvillimin personal dhe artin, deri te krijimi i një startup-i teknologjik që synon të ndërtojë një komunitet të rinjsh me të njëjtin vizion për rritje dhe sukses.
Ideja e Hover lindi nga një pyetje e thjeshtë: pse aksesorët që mbajmë çdo ditë të mos na ndihmojnë të përmirësojmë jetën tonë?
Sipas Reit, Hover është një unazë inteligjente që monitoron tregues të ndryshëm të shëndetit si rrahjet e zemrës, cilësinë e gjumit, nivelin e stresit dhe parametra të tjerë, ndërsa njëkohësisht i lidh përdoruesit me një komunitet të rinjsh që duan të zhvillohen personalisht dhe profesionalisht.
“Vetëm nuk mund të arrihet asnjë gjë. Duhet ekip, duhet komunitet dhe njerëz që ndajnë të njëjtin vizion,” u shpreh ai gjatë podcastit.Edhe pse sot identifikohet si sipërmarrës, Rei rrëfeu se arti ka qenë një pjesë e rëndësishme e jetës së tij. Ai ka disa vite që merret me teatër, skenarë dhe interpretim, aftësi që e kanë ndihmuar të komunikojë natyrshëm para kamerës dhe të ndërtojë një prezencë të fortë në rrjetet sociale.
Në fakt, ai beson se aftësia për të komunikuar është një nga armët më të forta të brezit të ri.
“Para se të publikoni video, regjistrojeni veten duke folur. Mësohuni me kamerën dhe me zërin tuaj. Praktika ndryshon gjithçka,” këshillon ai.Një nga momentet më personale të intervistës ishte rrëfimi për transformimin fizik që përjetoi në moshën 14-vjeçare.
Rei tregoi se humbi rreth 40 kilogramë brenda tre muajve, një proces që më vonë kuptoi se nuk ishte realizuar në mënyrën më të shëndetshme. Megjithatë, kjo eksperiencë i mësoi disiplinën, sakrificën dhe rëndësinë e kujdesit për veten.
Ai pranoi se bullizmi dhe paragjykimet që shpesh përjetojnë fëmijët mbi peshë kanë qenë ndër motivet që e shtynë të ndryshonte stilin e jetës.Një nga temat që u rikthye vazhdimisht gjatë bisedës ishte ndikimi i opinionit të të tjerëve te të rinjtë.
Sipas Reit, pengesa më e madhe që i ndalon shumë të rinj të ndërtojnë diçka është frika nga gjykimi.
“Njerëzit flasin për ty dy ditë dhe pastaj vazhdojnë jetën e tyre. Mos e ndërto jetën sipas mendimit të të tjerëve,” tha ai.
Ai inkurajoi të rinjtë të krijojnë përmbajtje, të ndërtojnë personal brand-in e tyre dhe të mos kenë frikë të provojnë ide të reja.Ndryshe nga perceptimi i zakonshëm se biznesi kërkon kapital të madh, Rei tregoi se ai dhe bashkëpunëtorët e tij punuan gjatë verës në punë të ndryshme për të siguruar fondet e para për startup-in.
“Po, duhen para. Por nëse duhen para, pse nuk po punon? Gjej një punë, krijo kapitalin fillestar dhe nis atë që beson,” u shpreh ai.
Sipas tij, investitorët besojnë më shumë te sipërmarrësit që kanë investuar fillimisht kohën, energjinë dhe paratë e tyre.
Përtej biznesit dhe suksesit, mesazhi më i fortë i Reit lidhej me mirënjohjen.
Ai tregoi se çdo mëngjes e konsideron si një mundësi të re për të bërë diçka me vlerë dhe për të justifikuar besimin që jeta i ka dhënë.
“Çdo ditë që zgjohemi është një mundësi. Duhet t’i tregojmë Zotit se jemi mirënjohës duke dhënë maksimumin tonë dhe duke lënë diçka të mirë pas.”
Megjithëse e sheh veten pas pesë vitesh duke jetuar në Bali, Rei theksoi se dëshira e tij më e madhe është të krijojë mundësi për të rinjtë shqiptarë.
Ai beson se Shqipëria ka nevojë për më shumë mbështetje për sipërmarrjen, artin, inovacionin dhe zhvillimin e brezit të ri.
“Ne të rinjve duhet të na jepet mundësia të provojmë, të gabojmë, të krijojmë dhe të ndërtojmë. Vetëm kështu mund të ndryshojmë realitetin.”

0
Show Comments (0) Hide Comments (0)
0 0 votes
Article Rating
Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Stay Updated!

Subscribe to get the latest blog posts, news, and updates delivered straight to your inbox.