A janë telefonat, tabletat dhe videot e shkurtra përgjegjëse për shpërqendrimin dhe hiperaktivitetin e fëmijëve? Kjo është një nga pyetjet që prindërit i drejtojnë shpesh specialistëve, veçanërisht kur vërejnë se fëmijët e kanë gjithnjë e më të vështirë tA e shkaktojnë telefonat dhe tabletat ADHD-në te fëmijët? Laurena Brako Jusufi: Nuk janë shkaku, por mund t’i përkeqësojnë vështirësitëë përqendrohen në aktivitete që kërkojnë kohë dhe durim.
E ftuar në Vizion Plus, logopedja Laurena Brako Jusufi sqaroi se ekranet nuk janë shkaku i ADHD-së, por ekspozimi i pakontrolluar dhe i tepruar ndaj tyre mund të ndikojë negativisht në vëmendjen dhe zhvillimin e fëmijëve. Sipas saj, ADHD-ja është një çrregullim neurozhvillimor me bazë kryesisht biologjike dhe nuk shkaktohet nga përdorimi i telefonit, tabletit apo nga mënyra se si prindërit i edukojnë fëmijët.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se koha e kaluar përpara ekraneve është pa pasoja. Laurena shpjegoi se ekspozimi i hershëm ndaj telefonave dhe tabletave mund të pengojë zhvillimin e aftësive që fëmijët kanë nevojë të ndërtojnë në vitet e para të jetës.
Në këtë periudhë, fëmija duhet të eksplorojë mjedisin, të ndërveprojë me njerëzit, të luajë dhe të zhvillojë gjuhën përmes komunikimit të drejtpërdrejtë. Ndërsa përpara ekranit, vëmendja është kryesisht pasive dhe fëmija nuk përfshihet në të njëjtën mënyrë në procesin e të mësuarit.
Një tjetër problem, sipas Laurenës, lidhet me videot e shkurtra dhe lëvizjen e vazhdueshme nga një përmbajtje në tjetrën. Këto përmbajtje ofrojnë shpërblim të menjëhershëm dhe mund ta bëjnë më të vështirë angazhimin në aktivitete që kërkojnë përpjekje më të gjatë, si leximi, dëgjimi i një historie apo përfundimi i një detyre.
Kjo mund të ndikojë edhe te mënyra se si fëmijët reagojnë ndaj aktiviteteve të zakonshme, të cilat kërkojnë durim, përqendrim dhe përpunim më të thelluar të informacionit.
A duhet të ndihen fajtorë prindërit?
Laurena theksoi se prindërit nuk duhet ta shohin ADHD-në si pasojë të gabimeve të tyre në edukim apo të ekspozimit të fëmijës ndaj teknologjisë. Ajo nënvizoi se fëmijët me ADHD shpesh keqkuptohen dhe etiketohen si të paedukatë, ndërkohë që vështirësitë e tyre lidhen me mënyrën se si funksionojnë mekanizmat e vëmendjes dhe kontrollit të impulseve. Mesazhi i saj është se teknologjia duhet përdorur me kufij dhe vetëdije, pa zëvendësuar lojën, komunikimin dhe ndërveprimin real.
Fëmijët kanë nevojë për kohë cilësore me prindërit, për aktivitete që i përfshijnë dhe për mundësi për të eksploruar botën përreth tyre. Në rastin e fëmijëve me ADHD, një mjedis i strukturuar dhe kufizimi i shpërqendrimeve mund të jenë pjesë e rëndësishme e mbështetjes së tyre.