Meloditë tradicionale shqiptare janë bërë pjesë e kolonës zanore të filmit më të ri të regjisorit të njohur Christopher Nolan, “The Odyssey”. Mjeshtri i fyellit dhe culës dyjare, Vendim Kapaj, ka interpretuar tingujt autentikë të Labërisë që janë përdorur në muzikën e filmit.
Regjistrimet u zhvilluan në Vlorë, pranë Teqja e Kuzum Babait, ku u xhiruan edhe disa skena të produksionit. Kompozitori fitues i çmimit Oscar, Ludwig Göransson, kaloi disa orë duke punuar me artistin shqiptar për të regjistruar me kujdes tingujt e instrumenteve tradicionale.
Sipas Kapajt, lidhja me ekipin e filmit u krijua përmes një miku të tij. Krijuesit e “The Odyssey” kishin studiuar prej kohësh muzikën popullore shqiptare dhe e kishin zbuluar atë përmes rrjeteve sociale dhe emisioneve televizive. Ai interpretoi i vetëm me fyell dhe culë dyjare, ndërsa çdo pjesë u regjistrua në mënyrë profesionale nga ekipi i produksionit.
Artistit shqiptar iu bë një vlerësim i veçantë nga Göransson, i cili u shpreh i impresionuar nga tingujt e rrallë dhe karakteri unik i instrumenteve të Labërisë.
Po ashtu, kompozitori Vasil Sofokli Tole ka konfirmuar se ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve të muzikës për filmin, duke kontribuar në përfshirjen e elementëve të traditës muzikore shqiptare në kolonën zanore.