Elias Naska është vetëm 9 vjeç, por në fushën e blertë sillet si një profesionist i vogël me ëndrra të mëdha. Me një pasion të lindur për futbollin, ai nisi të luajë tre vite më parë me shokët në lagje, dhe sot është pjesë e ekipit Titans, ku ka spikatur për teknikën, vendosmërinë dhe saktësinë përpara portës.
Në këtë rrugëtim të hershëm, Elias ka arritur një shifër mbresëlënëse – 49 gola të shënuar – dhe stërvitet plot 6 ditë në javë nga dy orë, pa u lodhur kurrë.
“E kam ëndërr të bëhem futbollist dhe dua t’i ngjaj Messit,” – thotë Elias me sytë që i shkëlqejnë.
Edhe pse luan si mesfushor, ai ka një stil loje që synon të pasqyrojë mjeshtërinë e Lionel Messit. Dëshira për të përmirësuar veten është e pandalshme. Një nga momentet më të forta emocionale për të ka qenë një humbje me ekipin e tij.
“Ishte hera e parë që u mërzita aq shumë, madje nisa të qaja. Por kuptova që duhet të punoj më fort për të marrë rezultate të mira në fushë.”
Një nga shtyllat më të forta të Eliasit është mbështetja që merr nga familja, veçanërisht nga babai i tij, i cili e ndjek në çdo hap të rrugës.
“Mbështetjen më të madhe e kam nga prindërit, sidomos nga babi. Ai është gjithmonë aty për mua.”
Kur pyetet për ëndrrën e tij më të madhe, Elias thotë me siguri:
“Nëse një ditë do të luaja për një skuadër të huaj, do të zgjidhja Barcelonën. Por edhe nëse më ofrojnë në Shqipëri, do të pranoja me kënaqësi.”
Me flokët e gjatë dhe tiparet e veçanta, Elias ndonjëherë ngatërrohet në fushë me lojtarë më të rritur – por loja e tij e dallon menjëherë. Ai është shembulli ideal që edhe në një moshë kaq të vogël, një ëndërr e madhe mund të jetë fare pranë nëse punohet fort dhe me zemër.