Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit po përballon ditët me numrin më të lartë të udhëtarëve të këtij sezoni veror. Për të ndjekur nga afër menaxhimin e fluksit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilluan një inspektim të përbashkët në pikën kufitare.
Sipas autoriteteve, çdo ditë në aeroport përpunohen mesatarisht nga 50 mijë deri në 56 mijë pasagjerë. Për të përballuar këtë fluks, Policia Kufitare ka kaluar në shërbim 12-orësh dhe ka rritur me rreth 20% numrin e efektivëve në Rinas.
Një nga masat e marra është edhe ulja e moshës minimale për përdorimin e sistemit automatik e-Gate nga 16 në 12 vjeç, ndërsa janë përmirësuar sistemi TIMS dhe pajisjet e kontrollit kufitar, me qëllim shkurtimin e kohës së pritjes dhe rritjen e cilësisë së shërbimit.
Gjatë inspektimit u theksua se, krahas lehtësimit të lëvizjes së pasagjerëve, vijon puna për parandalimin e krimeve ndërkufitare, me fokus luftën kundër trafikut të drogës, kontrabandës dhe migracionit të paligjshëm.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, vlerësoi bashkëpunimin me Policinë e Shtetit, duke theksuar se të dy institucionet janë në shërbim 24 orë në 24 për të garantuar lëvizje të shpejtë të qytetarëve dhe kontrolle efektive për sigurinë kufitare.