Në episodin e podcastit “By Xhulio Radi”, Ylber Shehu ndau me dëgjuesit rrugëtimin e tij profesional dhe vizionin për të ardhmen e marketingut në sektorin e ndërtimit në Shqipëri. Ai foli për sfidat unike që sjell kjo industri, ku ndryshe nga sektorët tradicionalë të konsumit, ndërtimi kërkon një komunikim të kujdesshëm me segmente të ndryshme si investitorët, blerësit individualë dhe partnerët institucionalë.
Gjatë bisedës, Ylberi theksoi rëndësinë e përdorimit të marketingut digjital, fuqinë e të dhënave në ndërtimin e strategjive të personalizuara, si dhe rolin e storytelling-ut për të ndërtuar besim dhe lidhje emocionale me klientët. Ai ndau gjithashtu praktikat më të suksesshme që aplikon te Pajtoni Group, duke i dhënë vëmendje edhe risive që sjell inteligjenca artificiale në këtë fushë.
Ylber Shehu është aktualisht Drejtor i Departamentit të Marketingut në Pajtoni Group, një nga grupet më të njohura të ndërtimit dhe zhvillimit në Shqipëri. Ai u bashkua me kompaninë në vitin 2023 dhe ka sjellë me vete një përvojë të pasur prej 10 vitesh në fushën e marketingut dhe shitjeve. Me një diplomë në Komunikim, Marrëdhënie me Publikun dhe Marketing nga Fakulteti i Shkencave Sociale, ai ka zhvilluar dhe zbatuar strategji të suksesshme për të forcuar praninë dhe imazhin e markës së Pajtoni Group.
Përpara se të bashkohej me Pajtoni Group, Ylber Shehu ka pasur një karrierë të suksesshme në kompani të tjera, duke kontribuar në zhvillimin e markave dhe rritjen e tyre në treg. Ai është i njohur për aftësitë e tij analitike dhe krijuese, duke kombinuar njohuritë e tregut me një qasje inovative për të angazhuar dhe ndikuar audiencën e synuar.