Një histori dhimbjeje, sakrifice, por mbi të gjitha dashurie dhe force. Kështu nis rubrika e re “Të tregosh historinë tënde”, ku në episodin e parë është rrëfyer historia e Gentiana Kalemit, një nënë shqiptare e cila udhëtoi nga Gjermania drejt Tiranës për të ndarë përvojën e saj me vajzën 28-vjeçare, Esterin, e diagnostikuar me autizëm.
Gentiana zgjodhi të flasë publikisht jo për të kërkuar mëshirë, por për të dhënë një mesazh për mijëra prindër që përballen me sfida të ngjashme.
“Dua që prindërit të bëhen më realë me jetën e fëmijëve të tyre, t’i ndihmojnë sa më shumë dhe të mos humbasin kohë. Gjëja më e mirë për një fëmijë është t’i gjendesh pranë në momentin e duhur”, rrëfen ajo.
Për shumë vite, Gentiana jetoi me një tjetër diagnozë për vajzën e saj. Në Shqipëri, Esteri ishte diagnostikuar me epilepsi dhe kishte marrë trajtime për këtë problem. Vetëm pasi u zhvendos në Gjermani, pas analizave dhe vlerësimeve të specializuara, ajo mori diagnozën e saktë: Esteri ishte në spektrin e autizmit.
“Unë nuk kisha informacion. Sot mendoj që vajza ime do të ishte shumë më mirë nëse do ta dija më herët”, tregon Gentiana. Ajo rrëfen se vitet e para kanë qenë një betejë e vazhdueshme mes kërkimit të ndihmës, mungesës së informacionit dhe përpjekjeve për t’i dhënë vajzës së saj një jetë sa më normale.
Historia e Gentianës është edhe historia e një nëne që ka bërë sakrifica të mëdha. Ajo kujton periudhat kur udhëtonte nga Skrapari drejt Tiranës për vizita dhe terapi, me shumë pak mundësi ekonomike. Një nga kujtimet më të forta për të është momenti kur Esteri, pas fizioterapisë në një spital në Kombinat, arriti të ngrihej në këmbë në moshën 6-vjeçare. “Isha shumë e lumtur. Edhe pse flija në kushte të vështira, ajo ditë për mua ishte një fitore e madhe”, kujton ajo.
Por rruga nuk ishte e lehtë. Gentiana tregon se vajza e saj shpesh është përballur me refuzim nga institucionet arsimore në Shqipëri, për shkak të sjelljeve që lidhen me spektrin e autizmit. Ajo kujton me mirënjohje vetëm një edukatore, Elvira Dyrmishin, e cila e pranoi Esterin dhe e trajtoi si çdo fëmijë tjetër. “Ajo nuk e pa si ndryshe. I rrinte pranë dhe e ndihmoi të përshtatej. Këtë nuk e harroj kurrë”, shprehet Gentiana.
Në vitin 2015, Gentiana vendosi të largohej drejt Gjermanisë me një qëllim të vetëm: të gjente përgjigjen për vajzën e saj.Ajo tregon se në fillim ishte shumë e vështirë, pasi nuk njihte mirë gjuhën dhe nuk kishte mbështetje të madhe. Por vendosmëria për të marrë një diagnozë të saktë e bëri të mos dorëzohej.
“Thashë me vete: nuk largohem nga Gjermania pa e vizituar vajzën time dhe pa marrë përgjigjen se çfarë ka ajo.” Pas diagnozës, jeta e Esterit ndryshoi. Ajo mori trajtime, mbështetje dhe kujdes nga sistemi shëndetësor gjerman. Gentiana tregon se vajza e saj u trajtua edhe për probleme të rënda dentare, ku iu krye një ndërhyrje pa kosto për familjen. “Shteti na ndihmoi shumë. Për fëmijët me nevoja të veçanta ka terapi, mbështetje ekonomike dhe shumë shërbime që i ndihmojnë të jetojnë më mirë”, thotë ajo.
Sot, Esteri është 28 vjeçe dhe jeton me nënën e saj në Gjermani. Ajo ka një lidhje të veçantë me udhëtimet, sidomos me trenat. Gentiana tregon se vajza e saj ka shumë dëshirë të shkojë në vende të reja dhe se udhëtimet janë një nga momentet më të bukura për të. n“Ajo më pyet çdo ditë: mami, çfarë do bëjmë sot? Do dalim? Do shkojmë diku?”, tregon ajo me buzëqeshje. Edhe pse ka vështirësi në komunikim dhe në situata sociale, Esteri ka bërë hapa të rëndësishëm.
Në fund të rrëfimit të saj, Gentiana ka një mesazh të fortë për të gjithë prindërit që kanë fëmijë në spektrin e autizmit.“Mos kini turp nga fëmijët tuaj. Ndiqini, ndihmojini, çojini në terapi dhe mos i krahasoni kurrë me fëmijët e tjerë. Çdo hap i vogël sot mund të bëhet një ndryshim i madh nesër.”