Një analizë e fundit tregon se kompanitë po përdorin më pak ChatGPT-në, chatbot-in e njohur të OpenAI, për herë të parë që prej nëntorit 2022. Sipas raportit të kompanisë amerikane të softuerëve Netskope, përdorimi i ChatGPT në organizata ka rënë në 78% gjatë muajit mars 2025, nga 80% që ishte në shkurt të po atij viti.
Kjo shënon rënien e parë të ChatGPT-së si platformë për chatbot-et e inteligjencës artificiale në biznes, ndërkohë që përdorimi i konkurrentëve si Gemini i Google dhe Microsoft Copilot po rritet. Arsyeja kryesore e këtij ndryshimi është integrimi i këtyre platformave me mjetet e përditshme të punës që përdorin kompanitë, si Microsoft Office 365 dhe GitHub.
Megjithatë, ChatGPT mbetet ende më i përdoruri me 78% përdorim në organizata, krahasuar me 55% për Gemini dhe 37% për Copilot. Raporti thekson se gjatë vitit 2025, rreth 90% e bizneseve po inkurajojnë punonjësit të përdorin drejtpërdrejt mjetet e AI-së si ChatGPT, Gemini dhe Copilot në aktivitetet e tyre.
Përveç këtyre, në botën e biznesit po përdoren gjithashtu edhe platforma të tjera AI si Claude nga Anthropic, Perplexity AI, Grammarly për korrigjim drejtshkrimor, dhe Gamma AI për krijimin e prezantimeve.
Megjithatë, raporti tërheq vëmendjen për rreziqet që lidhen me përdorimin e këtyre platformave, kryesisht përsa i përket sigurisë së të dhënave dhe mbrojtjes së informacioneve konfidenciale. Përdoruesit shpesh ngarkojnë dokumente sensitive ose i drejtojnë pyetje chatbot-ëve që përmbajnë informacione pronësore, duke rritur rrezikun e ekspozimit të të dhënave.
Në vitin 2025, numri i komandave dhe pyetjeve që dërgohen në chatbot është rritur 30 herë krahasuar me vitin 2024, dhe në mesatare kompanitë i dërgojnë këtyre platformave rreth 7.7 gigabyte të dhëna në muaj, nga vetëm 250 megabyte më parë.
Ky bum në përdorimin e të dhënave rrit ndjeshëm rrezikun e shpërndarjes së paautorizuar apo trajtimit të gabuar të informacioneve të ndjeshme, ndaj ekspertët këshillojnë kujdes dhe masa shtesë sigurie gjatë përdorimit të mjetëve të inteligjencës artificiale në ambientet e punës.