Nga emigrimi për një dekadë, te rikthimi në Shqipëri, krijimi i podcastit “Shah Mat Podcast” dhe pjesëmarrja në Big Brother VIP Kosova, Nailir Piri rrëfen një histori të ndërtuar mbi punën, këmbënguljen dhe bindjen se suksesi nuk vjen nga motivimi i çastit, por nga veprimi i vazhdueshëm.
Në një bisedë të gjatë me Xhulion, ai ndau mendimet e tij për sipërmarrjen, zhvillimin personal, mentalitetin shqiptar, emigrimin, famën dhe sfidat që përballin të rinjtë sot. Për Nailirin, emigrimi ishte një periudhë reflektimi dhe transformimi personal. Ai shpjegon se vendimi për t’u larguar dhe më pas për t’u kthyer nuk lidhej vetëm me aspektin ekonomik, por me nevojën për të ndryshuar rrënjësisht drejtimin e jetës së tij.
“Kam bërë 10 vjet emigrim sepse nuk isha më i kënaqur me atë që po bëhesha. Vendosa ta ndryshoj komplet mënyrën e jetës sime dhe të ardhmen time. Jam kthyer në Shqipëri me idenë që të ndërtoj diçka timen.”
Megjithatë, rikthimi nuk ka qenë aq i thjeshtë sa mund të duket nga jashtë. Ai pranon se ndërtimi i një projekti në Shqipëri kërkon shumë më tepër përkushtim sesa mendojnë shumica e njerëzve. “Jam rreth dy vjet që jam kthyer në Shqipëri dhe po merrem me podcastet, me botën e medias. Jam mirë në ato pika që kam vendosur t’ia dal, por prapë kam kuptuar se duhet shumë punë. Që t’ia dalësh në Shqipëri duhet jashtëzakonisht shumë punë.”
Sipas tij, nuk ekzistojnë rrugë të shkurtra drejt suksesit dhe as formula magjike që garantojnë rezultate të menjëhershme. Ideja për të krijuar podcastin erdhi natyrshëm, si rezultat i dëshirës për të zhvilluar biseda më të thella dhe më autentike se ato që shihte zakonisht në ekran.
“Kur shihja emisione apo intervista, gjithmonë mendoja: ‘Po të isha unë aty, çfarë pyetje do bëja?’. Kjo më shtyu ta nis.”
Ai tregon se në fillim ka hasur shumë skepticizëm. Shumë persona i kishin thënë se figurat publike nuk do të pranonin të merrnin pjesë në një podcast të ri, sidomos pa pagesë. “Më thoshin se personazhet duan lekë, se nuk do vijnë. Ka ndodhur komplet e kundërta. Asnjëherë në jetën time nuk kam paguar dikë për të ardhur në podcast. Çdo personazh ka ardhur me respekt dhe me kënaqësi.”
Për Nailirin, ky ka qenë një nga mësimet më të rëndësishme të rrugëtimit të tij: shumë kufizime ekzistojnë vetëm në mendjen tonë dhe shpesh realiteti rezulton më pozitiv sesa parashikimet pesimiste. Gjatë bisedës, Nailiri u ndal gjatë te fenomeni i zhvillimit personal, një temë që ka fituar shumë popullaritet vitet e fundit.
Ai shprehu skepticizëm ndaj mënyrës se si disa individë e paraqesin aktivitetin e tyre si një mision për të shpëtuar njerëzit, ndërkohë që në thelb bëhet fjalë për biznes. “Çdo gjë është biznes. Nuk jam kundër fitimit. Por mos e shit sikur po e bën për të mirën e njerëzimit. Në fund të ditës është biznes.”
Megjithatë, ai nuk është kundër motivimit apo frymëzimit. Përkundrazi, beson se njerëzit kanë nevojë për mbështetje emocionale dhe për modele pozitive. “Shumica e njerëzve kanë trauma, kanë pasiguri, kanë momente ku ngecin. Ndonjëherë të duhet vetëm një person që të thotë: ‘Vazhdo, je në rrugën e duhur’.”
Sipas tij, problemi fillon kur motivimi shitet si zëvendësues i punës reale. Një nga momentet më të forta të intervistës ishte analiza që Nailiri bëri mbi kulturën e punës dhe pritshmëritë e shqiptarëve. Ai argumenton se shpesh njerëzit presin rezultate të mëdha pa bërë investimin e nevojshëm në kohë, energji dhe përkushtim.
“Ka shumë raste që bëjmë pak dhe kërkojmë meritë. Disa njerëz prodhojnë jashtëzakonisht shumë dhe prapë mendojnë se nuk kanë bërë mjaftueshëm. Kurse ne shpesh bëjmë pak dhe presim shumë. Sipas tij, krahasimi me të tjerët shpesh i largon njerëzit nga realiteti dhe nga analiza objektive e punës që kanë bërë. “Shpesh fokusohemi te rezultati që ka arritur dikush tjetër, por nuk shohim vitet e sakrificës që fshihen pas atij rezultati.”
Ai këmbëngul se fokusi është një nga elementët më të rëndësishëm për sukses. “Nuk mund të bësh pesë gjëra njëkohësisht dhe të presësh të jesh më i miri. Në qoftë se do të arrish diçka, duhet t’i futesh 100%. Nuk ka shans tjetër.” Një tjetër temë ku Nailiri u ndal ishte atmosfera e përgjithshme pesimiste që, sipas tij, ndihet në jetën e përditshme.
Ai argumenton se ankesa është bërë pjesë e zakonshme e komunikimit publik dhe privat. “Hip në taksi dhe dëgjon vetëm halle. Flet me pronarin e lokalit, ka hall. Flet me shitësin, ka hall. Flet me biznesmenin, ka hall. Pesimizmi është në maksimum.”
Për të, problemi më i madh nuk është vetëm vështirësia ekonomike, por humbja e shpresës. “Shumë njerëz po ikin sepse është vrarë shpresa. Në fund të ditës nuk janë as taksat, as problemet e tjera. Është shpresa.” Ai beson se kur njerëzit humbasin besimin se e ardhmja mund të jetë më e mirë, fillojnë të kërkojnë mundësi diku tjetër.
Një nga temat që ka fituar popullaritet të madh vitet e fundit është manifestimi. Nailiri mendon se koncepti shpesh keqkuptohet. “Manifestimi nuk është të rrish në kafe dhe të mendosh se do bëhesh i suksesshëm. Manifestimi është ta vizualizosh qëllimin dhe pastaj të marrësh aksion.” Ai thekson se vizioni pa veprim mbetet vetëm fantazi. “Manifestoje sa të duash, por ço lëviz vendit dhe bëj punën.”
Në këndvështrimin e tij, çdo objektiv kërkon disiplinë, sakrificë dhe vazhdimësi, pavarësisht sa i motivuar ndihet një person. Pjesëmarrja në Big Brother VIP Kosova i dha një ekspozim më të madh publik dhe një perspektivë të re mbi famën.
“Më ka ndryshuar perceptimin për kamerat dhe mënyrën se si duhet të sillesh para publikut.” Ai shpjegon se eksperienca e ndihmoi të kuptonte më mirë ndikimin e medias dhe mënyrën se si perceptohen personazhet publike nga audienca. Kur u pyet për fituesin e merituar të sezonit, ai dha një përgjigje diplomatike. “Kur dolën në finale Londrimi dhe Eliona, mendoja se cilido prej tyre e meritonte fitoren.”
Emri “Shah Mat Podcast” ka lindur krejt rastësisht, por me kalimin e kohës është shndërruar në një simbol të mënyrës se si Nailiri e sheh jetën. “Po mendoja prej dy javësh si t’ia vendosja emrin podcastit. Pashë një tabelë shahu dhe thashë: pse jo Shah Mat Podcast?”
Sot ai e konsideron lojën e shahut si një metaforë të fuqishme për vendimmarrjen dhe strategjinë. Sipas tij, njerëzit shpesh fokusohen te ajo që u mungon, në vend që të përdorin maksimalisht burimet që kanë në dispozicion. Në fund të intervistës, Nailiri përmbledh filozofinë e tij të jetës me një ide të thjeshtë, por të fortë.
“Duhet të prodhosh aq shumë punë sa të jetë e pajustifikueshme të mos kesh sukses.” Ai beson se suksesi nuk varet nga motivimi i përkohshëm, nga fama apo nga numri i ndjekësve në rrjetet sociale.
“Knowledge without action is powerlessness. Mund të dish gjithçka, por nëse nuk vepron, nuk ndryshon asgjë.” Për Nailirin, dija ka vlerë vetëm kur shoqërohet me veprim konkret. Në të kundërt, mbetet thjesht informacion. Dhe ndoshta mesazhi që përmbledh më mirë të gjithë bisedën është ai që ai e përsërit shpesh si një thirrje për optimizëm dhe veprim:
“Njall mirë o burrë. Çfarë të kushton?”