Temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit pritet të arrijnë kulmin këtë të hënë, me termometrin që në shumë zona do të shënojë deri në 39-40°C. Më pas, sipas parashikimeve meteorologjike, pritet një ndryshim gradual i kushteve atmosferike, duke sjellë freskim të motit.
Edhe e marta do të mbetet e nxehtë, me temperatura që do të afrohen sërish pranë 39°C. Megjithatë, shtimi i lagështirës dhe vranësirave do ta bëjë vapën më të rëndë dhe më të ndjeshme.
Ndryshimi më i dukshëm pritet të nisë të mërkurën, kur masa ajrore më të freskëta do të depërtojnë në vend. Si rezultat, temperaturat do të ulen ndjeshëm dhe moti do të bëhet më i paqëndrueshëm. Gjatë pjesës së mbetur të javës, vlerat maksimale do të lëvizin kryesisht nga 30 deri në 35°C, ndërsa fundjava parashikohet të jetë periudha më e freskët, me temperatura që nuk do të kalojnë 30-31°C.
Sa i përket reshjeve, kjo e hënë do të dominohet nga mot i kthjellët dhe i qëndrueshëm. Në mbrëmjen e së martës priten reshje të izoluara në veri, ndërsa të mërkurën pritet përkeqësim i motit me rrebeshe shiu, erë të fortë dhe stuhi, kryesisht në zonat veriore dhe qendrore. Reshje lokale mund të shfaqen edhe në jugperëndim të vendit, përfshirë qarkun e Vlorës.
Situata atmosferike pritet të stabilizohet gjatë fundjavës, kur reshjet do të ndërpriten dhe moti do të rikthehet kryesisht i kthjellët. Në të njëjtën kohë, temperaturat minimale do të bien ndjeshëm, duke sjellë net më të freskëta dhe fundin e netëve tropikale.
Meteorologët paralajmërojnë gjithashtu se nga e mërkura deri në fundjavë era do të jetë herë pas here e fortë, si në zonat e brendshme, ashtu edhe përgjatë vijës bregdetare.