FIFA ka vendosur të sjellë një traditë të re në futbollin botëror. Për herë të parë, lojtarët dhe stafi i kombëtares që do të fitojë Kupën e Botës 2026 do të shpërblehen me unaza ekskluzive kampioni, një praktikë e njohur prej vitesh në ligat më të mëdha sportive amerikane, si NBA, NFL, NHL dhe Major League Baseball.
Në total, 30 unaza të personalizuara do t’u dorëzohen anëtarëve të ekipit fitues pas finales që do të zhvillohet në stadiumin MetLife në New Jersey.
FIFA ka planifikuar prodhimin e 2.026 unazave në një edicion të kufizuar. Vetëm 30 prej tyre do t’u rezervohen kampionëve të botës, ndërsa pjesa tjetër do të vihet në dispozicion të koleksionistëve dhe tifozëve.
Pamja përfundimtare e unazës nuk është zbuluar ende, por është konfirmuar se ajo do të mbajë të gdhendur trofeun e Kupës së Botës në njërën anë, ndërsa pjesa tjetër do të personalizohet me elemente që lidhen me kombëtaren fituese të turneut.
Përveç vlerës simbolike, unazat pritet të kenë edhe një vlerë të konsiderueshme financiare. Ato mendohet të prodhohen me ar dhe të zbukurohen me gurë të çmuar, ndërsa ekspertët vlerësojnë se çmimi i një unaze mund të arrijë deri në 130 mijë euro.
Me këtë iniciativë, FIFA synon të krijojë një simbol të ri të suksesit në futbollin ndërkombëtar, duke i dhënë kampionëve të Botërorit një kujtim unik që do të mbetet pjesë e historisë së sportit.