I ftuar në Podcastin e Suksesit by Xhulio Radi, ekonomisti Enea Rekaj solli një bisedë të thellë mbi kulturën financiare dhe rëndësinë e edukimit financiar në shoqërinë shqiptare. Ai theksoi se një nga misionet e tij kryesore është që përmes faqes së tij në Instagram, të ofrojë informacion praktik dhe të thjeshtuar për publikun, duke iu përgjigjur pyetjeve dhe dilemave të ndryshme financiare.
Sot zyra e tij bashkëpunon me më shumë se 250 biznese, duke ofruar shërbime të specializuara në kontabilitet, financa dhe menaxhim. Rekaj u ndal edhe tek evolucioni i mënyrës së të menduarit të sipërmarrësve: në fillim, një biznes funksiononte shpesh mbi bazën e një personi të vetëm, ku sipërmarrësi mbante rolin e ekonomistit, kontabilistit, financierit dhe menaxherit. Sot, kjo kulturë po ndryshon, pasi bizneset po kuptojnë rëndësinë e delegimit të punëve dhe ndarjes së përgjegjësive.
“Një biznesmen i para 10 viteve nuk krahasohet dot me një biznesmen të ditëve të sotme. Sot ka më shumë dije, më shumë qasje ndaj informacionit, dhe kjo falë edhe rrjeteve sociale që kanë ndikuar drejtpërdrejt tek ndërgjegjësimi”, u shpreh ai, i pyetur nga gazetarja Fationa Molla.
Rekaj theksoi se periudha e pandemisë u shfrytëzua nga shumë persona për të nisur biznese të reja, por jo të gjithë ishin të përgatitur:
“Nëse nuk ke formim të duhur, nuk mund të hapësh një biznes. NIPT-i hapet shpejt, por a ke informacionin e duhur? Fati në biznes nuk ekziston. Hapja dhe mbajtja e një biznesi nuk është rastësi, por produkt i dijes, i planit të qartë dhe i organizimit.”
Sipas tij, çdo sipërmarrës i ri duhet të bëjë një analizë me veten: çfarë di të bëjë, çfarë do të bëjë dhe ku duhet të investojë. Bashkëpunimet e duhura, dijet e fituara dhe investimi financiar duhet të ecin krah për krah.
Një tjetër element kyç është organizimi dhe menaxhimi:
“Te ne fjala ‘menaxher’ shpesh keqkuptohet. Menaxher nuk është ai që merret vetëm me furnizimet e lokalit, por ai që përdor burimet e kompanisë për të sjellë fitim. Në një kompani, funksioni më i rëndësishëm është menaxheri, por po aq i rëndësishëm është edhe shitësi në dyqan. Shitësi nuk është thjesht një person që kryen transaksionin, por ai që zotëron artin e bindjes – artin e shitjes.”
Duke u ndalur tek tregu i pasurive të paluajtshme, Rekaj u shpreh se rritja e shitjeve tregon ekzistencën e tregut aktiv, por paralajmëroi se çdo rritje ka edhe ulje, ose në rastin më të mirë një qëndrueshmëri. Sipas tij, ata që mbajnë gjallë tregun janë emigrantët dhe investitorët e huaj.
“Është më mirë të investojmë aty ku njohim terrenin. Një investim pa plan tregu dhe plan financiar është i destinuar të dështojë. Kurrë mos bëj investim në një fushë që nuk e njeh. Kursimi dhe investimi duhet të jenë pjesë e kulturës sonë, sepse si shoqëri shpesh nuk dimë të kursejmë dhe të investojmë me kujdes,” përfundoi Rekaj.