Një bisedë e kapur nga mikrofonët mes presidentit rus Vladimir Putin dhe atij kinez Xi Jinping ka rikthyer në qendër të vëmendjes pyetjen e vjetër mbi kufijtë e jetëgjatësisë njerëzore. Dy liderët folën për transplantet e organeve dhe për mundësinë e pavdekësisë, duke theksuar se përparimet në bioteknologji mund të çojnë njeriun drejt një epoke të re ku moshat mbi 100 vjeç nuk do të jenë më një përjashtim.
Deklaratat e tyre kanë ngjallur debat të madh në arenën ndërkombëtare. Për shumë analistë, këto ide nuk lidhen vetëm me zhvillimet shkencore, por edhe me ambicien e liderëve për të pasur jetë më të gjatë dhe ndikim të zgjatur në skenën botërore. Diskutimi është parë si një kombinim mes vizionit politik dhe dëshirës së kahershme të njerëzimit për të sfiduar kufijtë biologjikë.
Megjithatë, ekspertët e shëndetit e konsiderojnë këtë perspektivë ende larg realitetit. Ata theksojnë se transplantet e organeve nuk mund të jenë një zgjidhje e qëndrueshme, ndërsa teknologjitë si organet artificiale apo rigjenerimi i qelizave mbeten në faza shumë të hershme. Për më tepër, rigjenerimi pa kufi do të rrezikonte të sillte pasoja serioze, si zhvillimin e qelizave tumorale dhe rritjen e rrezikut për kancer.
Sipas studimeve mbi jetëgjatësinë, kufiri biologjik i njeriut ndodhet mes 115 dhe 125 viteve, edhe pse disa modele teorike sugjerojnë mundësinë e arritjes së 150 viteve. Rekordi i njohur deri më sot i përket Jeanne Calment, një grua franceze që jetoi 122 vjet, duke mbetur shembulli më i afërt i potencialit maksimal të jetës njerëzore.
Ekspertët këshillojnë se rruga më e sigurt për të zgjatur jetën nuk është kërkimi i pavdekësisë, por kujdesi ndaj shëndetit. Vetëm 25% e procesit të plakjes lidhet me gjenet, ndërsa pjesa tjetër varet nga stili i jetesës. Një dietë e balancuar, aktiviteti fizik i rregullt, gjumi i mjaftueshëm, reduktimi i stresit dhe lidhjet sociale të shëndetshme janë elementët që sot mund të zgjasin realisht jo vetëm jetën, por edhe cilësinë e saj.