Shopping Cart
Total:

$0.00

Items:

0

Your cart is empty
Keep Shopping

Historia e Kreshnik Cenës dhe këpucëve artizanale “Made in Albania”, nga një zanat i thjeshtë, në një mision jetësor

Në një kohë kur shumë biznese u përballën me vështirësi dhe madje u mbyllën, ka edhe histori që tregojnë anën tjetër të medaljes, atë të guximit, përshtatjes dhe rritjes. Një prej tyre është historia e Kreshnik Cenës, drejtues i këpucëve artizanale RS, i cili arriti të ndërtojë një biznes të qëndrueshëm duke u mbështetur te zanati, cilësia dhe vizioni për të ardhmen.
Kreshniku e nisi rrugëtimin e tij në moshën 19-vjeçare në Kukës, fillimisht si një mënyrë për të pasur një punë. Por me kalimin e kohës, ajo që nisi si nevojë u kthye në pasion dhe më pas në profesion. Ai kaloi vite si nxënës dhe punëtor, derisa ndjeu se ishte gati të ndërmerrte hapin e madh: hapjen e biznesit të tij.
“Fillimi ishte me frikë,” tregon ai, “por kur pashë që isha i kompletuar në këtë zanat dhe kishte kërkesë për këpucë artizanale, vendosa ta provoj.”
Si çdo sipërmarrje e re, sfida kryesore ishte gjetja e klientëve. Fillimisht, askush nuk e njihte punën e tij. Por cilësia bëri diferencën: klientët që blinin një herë, riktheheshin sërish.
Sot, rreth 80–90% e klientëve janë të rikthyer, një tregues i fortë besnikërie dhe kënaqësie.
Një rol të madh në rritjen e biznesit luajtën rrjetet sociale. Edhe pse në fillim pati skepticizëm, “këpucë në Instagram?”, pandemia rezultoi një mundësi e artë.
“Kur të gjithë po ankoheshin që bizneset po mbylleshin, unë punova më shumë. Posta funksiononte, njerëzit nuk dilnin nga shtëpia, por donin produkte cilësore. Dhe ne ua çonim deri te dera.”
Sipas Kreshnikut, dikur konsumatorët preferonin markat e huaja, por sot situata ka ndryshuar.
“Shumë produkte ‘me emër’ nuk janë cilësore. Njerëzit e kanë kuptuar këtë dhe po kthehen te punimet artizanale, te lëkura e vërtetë dhe komoditeti.”
Këpucët e tij janë tërësisht prej lëkure, të punuara me dorë dhe të personalizuara sipas klientit duke ofruar jo vetëm stil, por edhe shëndet për këmbën.
Ndryshe nga shumë marka që synojnë vetëm segmentin luksoz, Kreshniku ka zgjedhur të mbajë çmime të përballueshme.
“Dua që edhe shtresa e mesme të ketë akses te këpucët cilësore. Jo vetëm ata që kanë shumë para.”
Kjo filozofi e ka ndihmuar të ndërtojë një bazë të fortë klientësh dhe një reputacion të besueshëm.
Sfida më e madhe: mungesa e mjeshtërve
Ndërkohë që kërkesa për produkte artizanale po rritet, një problem serioz mbetet mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar.
“Të rinjtë nuk kanë shumë dëshirë të mësojnë zanate. Por kjo është një fushë që ka të ardhme dhe të ardhura.”
Ai këshillon të rinjtë të mësojnë një zanat dhe të përkushtohen, pasi sipas tij, profesionet praktike janë në rritje dhe jo në zhdukje.
Kreshniku punon deri në 10 të darkës dhe shpesh edhe fundjavave. Bashkëshortja e tij merret me porositë online dhe logjistikën, duke e bërë biznesin një sipërmarrje familjare.
“Është edhe mirë edhe vështirë të punosh me bashkëshorten, por e përballojmë bashkë.”
Synimi i tij është i qartë: të krijojë një brand shqiptar që njihet jo vetëm në Shqipëri, por edhe ndërkombëtarisht.
“Dua që prodhimet tona të jenë krenari për Shqipërinë — një ‘Made in Albania’ që respektohet.”
Aktualisht, porositë dërgohen në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, ndërsa kërkesat nga diaspora janë në rritje.
Historia e Kreshnik Cenës është një kujtesë e fortë që suksesi nuk vjen gjithmonë nga rrugët më të lehta apo më moderne. Ndonjëherë, ai ndërtohet me duar, me përkushtim dhe me besim në atë që bën.
0
Show Comments (0) Hide Comments (0)
0 0 votes
Article Rating
Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Stay Updated!

Subscribe to get the latest blog posts, news, and updates delivered straight to your inbox.