Shopping Cart
Total:

$0.00

Items:

0

Your cart is empty
Keep Shopping

Titulli: Emri i Isa Boletinit do të nderohet me një rrugë në New York

Në kuadër të përpjekjeve të komunitetit shqiptaro-amerikan për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kombëtare, një rrugë në Staten Island të Nju Jorkut do të marrë emrin e heroit të shquar të kombit shqiptar, Isa Boletini. Ceremonia pritet të zhvillohet më 7 shtator 2025, pranë rrugës që mban emrin e Ismail Qemalit, duke e kthyer këtë zonë në një hapësirë simbolike të krenarisë kombëtare shqiptare në SHBA. Më poshtë sjellim të plotë shkrimin e gazetarit dhe veprimtarit Frank Shkreli për këtë ngjarje:


Nga: Frank Shkreli

“Unë jam mirë kur ashtë mirë Shqipnia”

Ditët e fundit në rrjetët shoqërore të komunitetit shqiptaro-amerikan në Nju Jork po flitet për njoftimin se një rrugë në Staten Island të Nju Jorkut do të mbartë emrin e njërit prej heronjve më të shquar të Kombit Shqiptar, Isa Boletinit nga Dardania.

Njoftohet se ceremonia e emërtimit të kësaj rruge me emrin e flamurtarit të Dardanisë e të mbarë Shqiptarisë, do të zhvillohet me 7 shtator, 2025 — aty afër rrugës që tanimë mban emërin e bashkombasit dhe bashkpuntorit të Boletinit — Ismail Qemalit në zonën e Staten Island të Nju Jorkut. Ajo zonë është një rreth ku jetojnë shumë shqiptarë nga të gjitha trojet iliro-arbërore, të ardhur atje sidomos gjatë tre dekadave të fundit. Dy rrugë të Amerikës me dy emra kryesorë protagonistësh të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, afër njëra tjetrës në një zonë të Nju Jorkut, simbole të bashkimit dhe krenarisë kombëtare të shqiptarëve të Amerikës, por jo vetëm.

Emërtimi i rrugës “Isa Boletini” është në radhën e disa emërtimeve të rrugëve të Nju Jorkut dhe Amerikës, gjatë viteve të fundit këtu në Nju Jork. Ia vlen të përmenden rrugët: “Ismail Qemali”, “Nënë Tereza”, “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” dhe “Fan Noli” — kushtuar, pra, disa prej figurave më të shquara të historisë së shqiptarëve. Atje ku janë përqendruar shumë shqiptarë dhe komunitete të konsiderueshme shqiptaro-amerikanësh – qendra banimi dhe veprimtarish shoqërore dhe ekonomiko-kulturore të shqiptarëve në këtë vend. Duhet thenë se këto emërtime në kujtim të figurave të mëdha të historisë së Kombit nuk ndodhin vet-vetiu, por janë përfundim i veprimtarisë politike dhe ekonomike të komunitetit shqiptaro-amerikan si dhe falë angazhimit të tyre në jetën politike vendase, aty ku jetojnë.

Me këtë rast, nder dhe falënderim shqiptaro-amerikanëve të Staten Island, të përfaqësuar në “Shoqatën Shqiptaro-Amerikane – Staten Island”, për këtë nismë të rëndësishme për komunitetin shqiptaro-amerikan në përgjithsi. Sepse si rezultat i kësaj vepre, emri i Isa Boletinit do të njihet pak më mirë ndër brezat e ardhëshëm të shqiptaro-amerikanëve, por do të nxis gjithashtu edhe kuriozitet edhe në radhët e amerikanëve të asaj zone se kush është ky emër që mbartë ajo rrugë.

Si përfundim i emërtimit të kësaj rruge në zonën administrative Staten Island, shqiptaro-amerikanët por edhe të tjerët do të njihen me jetën dhe veprimtarinë e Isa Boletinit, njërit prej figurave më të dalluara të Shqiptarëve në shekullin e kaluar. Një atdhetari i cili zë një vend nderi në vargun e fatosave më të lavdishëm të Kombit shqiptar e që gjithashtu – hiç më pak — edhe ata meritojnë nderimin dhe admirimin tonë, kudo që jemi. E kam fjalën për ata, ndër më të mëdhejtë e Kombit, si Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Ded Gjon Luli, Ali Pashë Gucia, Haxhi Zeka, e shumë të tjerë. “Emëna që kumbojnë si tinguj burish epike në vesh të gjithë Shqiptarve. Zëmra galdon në lexim të veprimtarisë së tyne që na enthuziazmoi në moshë të ré kur Shqipnija kishte nji veshtrim të vetëm për të gjithë dhe jo aqë veshtrime sa janë trillimet e kaptinave të ndryshme shqiptare”, është shprehur me një rast Ernest Koliqi, në një shkrim për Isa Boletinin.

Pritet që edhe ky rast i emërtimit të rrugës, “Isa Boletini” në Staten Island në shtator, të jetë një moment me për komunitetin shqiptaro-amerikan, një celebrim tjetër i lirisë dhe demokracisë që gëzojmë në këtë vend – në Amerikën tonë të dashur — që na mundëson lirinë dhe të drejtën për të nderuar dhe respektuar heronjët e historisë kombëtare dhe komunitetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara, figura të dalluara, siç është Isa Boletini.

0
Show Comments (0) Hide Comments (0)
0 0 votes
Article Rating
Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Stay Updated!

Subscribe to get the latest blog posts, news, and updates delivered straight to your inbox.

By pressing the Sign up button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use