Tre përfaqësues të grupit “Studentët në Protestë” ndanë në një podcast arsyet e angazhimit të tyre qytetar, sfidat që kanë hasur dhe mesazhin që synojnë të përcjellin për të rinjtë dhe shoqërinë shqiptare.
Studentët treguan se lëvizja u krijua spontanisht, pasi shumë të rinj u bashkuan gjatë ditëve të para të protestës me të njëjtin qëllim. Sipas tyre, motivi kryesor nuk ishte përkatësia politike, por reagimi ndaj padrejtësive, mungesës së transparencës dhe problemeve që prekin qytetarët.
Ata theksuan se përfaqësojnë jo vetëm studentët, por edhe rininë shqiptare, duke ngritur shqetësime për kushtet në konvikte, koston e jetesës, mungesën e infrastrukturës studentore dhe sfidat ekonomike me të cilat përballen të rinjtë që studiojnë larg familjes.
Gjatë bisedës, studentët folën edhe për organizimin e protestave dhe aksioneve simbolike, përfshirë vendosjen e një baneri gjigant në Universitetin Politeknik dhe shpërndarjen e sticker-ave me mesazhe proteste. Ata thanë se të gjitha iniciativat janë organizuar dhe financuar nga vetë studentët, pa mbështetje nga organizata apo parti politike.
Sipas tyre, protesta ka sjellë një ndryshim të rëndësishëm në mentalitetin e qytetarëve, duke ulur frikën për të shprehur publikisht pakënaqësitë dhe duke nxitur më shumë pjesëmarrje qytetare. Ata e përshkruan simbolikën e “40-ave të vdekjes së frikës” si një mesazh se qytetarët nuk duhet të heshtin më përballë problemeve që i prekin.
Studentët deklaruan se kërkesa kryesore e tyre mbetet dorëheqja e kryeministrit dhe se, në këtë fazë, kanë zgjedhur të mos veçojnë kërkesa specifike studentore, duke argumentuar se protesta përfaqëson një kauzë më të gjerë qytetare.
Në fund të intervistës, ata u bënë thirrje qytetarëve të mos qëndrojnë indiferentë, ndërsa pedagogëve u kërkuan të mbështesin studentët në kauzat që lidhen me të ardhmen e vendit. Studentët deklaruan se do të vazhdojnë të marrin pjesë në protesta “për aq kohë sa të jetë e nevojshme