Avokati Gentian Serjani, i njohur për mbrojtjen ligjore të protestuesve të ndaluar gjatë protestave të javëve të fundit në Tiranë, foli gjerësisht për situatën në vend, sistemin e drejtësisë dhe rininë shqiptare, në një bisedë të gjatë në “Podcast Me Jonen”.
“Ky është momentum për Shqipërinë”
Seriani, i cili prej javësh është pjesë e grupit të avokatëve që mbrojnë protestuesit e arrestuar, e cilësoi periudhën aktuale si historike. Sipas tij, thirrja për “Shqipëri të Re” nuk është thjesht slogan politik, por një detyrim ndaj brezave të ardhshëm: qytetarët duan t’u lënë fëmijëve dhe brezave që vijnë një Shqipëri të ku marrëdhënia mes qytetarit dhe pushtetit të jetë tërësisht ndryshe nga ajo e njohur deri sot.
“A ka më mirë sesa t’i lëmë fëmijëve tanë një Shqipëri të re?” – u shpreh Seriani, duke shtuar se e sheh veten fatlum që po jeton këtë moment dhe se e konsideron mbështetjen ndaj qytetarëve në nevojë si mision personal, jo thjesht si detyrë profesionale.
Rasti i protestuesit epileptik dhe kanatiera “provë”
Pjesa më e prekshme e bisedës lidhet me arrestimet e datës 2 korrik, kur u ndaluan 19 protestues pranë Kuvendit. Serjani tregoi rastin e një prej të mbrojturve të tij, i cili vuan nga epilepsia dhe pësoi disa kriza gjatë ditëve të para të paraburgimit, duke u dërguar disa herë në urgjencën e QSUT-së.
Sipas avokatit, kur e vizitoi në qeli, i riu i tregoi shenja dhune në trup dhe një bluzë (kanatiere) që u bë më vonë publike si provë. Ai theksoi se bërja publike e këtyre fakteve ishte pjesë e detyrës së tij ligjore, jo një favor personal: sipas tij, avokati është “zëri, syri dhe veshi” i klientit të ndaluar jashtë qelisë.
Deklarata e tij solli reagim nga Ministria e Brendshme, ndaj së cilës Serjani u përgjigj publikisht në rrjetet sociale, duke sqaruar se çfarë kishte deklaruar ishte thjesht ajo çka i kishte transmetuar klienti, jo qëndrime të tij personale.
Nga 19 të ndaluarit, sipas Serjanit, prokuroria dhe policia ngritën fillimisht pesë akuza, por gjyqtari i vlerësimit të masës së arrestit i rrëzoi shumicën, duke lënë në fuqi vetëm akuzën për kundërshtim të forcave të rendit — nen që, sipas avokatit, duhet rishikuar për mënyrën si aplikohet ndaj qytetarëve që protestojnë paqësisht.
Vëmendje ndërkombëtare “me kosto zero”
Serjani vuri në dukje se protesta ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare siç nuk kishte ndodhur më parë, madje pa asnjë investim marketingu nga ana e protestuesve. Ai përmendi deklaratën e zëvendëspresidentit të Parlamentit Europian, i cili tha se populli shqiptar është gati për BE-në, por politika shqiptare jo — një komentim që Serjani e lidhi edhe me mosarritjen e një dakordësie mes palëve politike në Strasburg këto ditë.
“Jo të gjithë janë të barabartë para ligjit”
I pyetur drejtpërdrejt nëse në Shqipëri të gjithë janë të barabartë para ligjit, Serjani ishte kategorik: teorikisht po, në praktikë jo. Si argument solli të dhëna zyrtare nga procesi i vetingut, ku shumë prokurorë e gjyqtarë u larguan nga sistemi për shkak të pasurive të pajustifikuara. Sipas tij, kjo tregon se “paraja ka dominuar sistemin e drejtësisë” ndër vite, ndërsa qytetarët pa mundësi financiare shpesh e kanë vuajtur pasojën — duke përmendur si shembull ekstrem rastin e një babai që humbi jetën pas ndërprerjes së energjisë elektrike për borxhe.
Rasti i review-ve negative për restorante
Serjani komentoi edhe rastin e disave qytetarëve që u përfshinë në një listë pas dhënies së vlerësimeve negative online për disa restorante. Sipas tij, një vlerësim negativ është thjesht shprehje e lirë dhe subjektive, jo vepër penale. Ai e krahasoi këtë me mungesën e mbështetjes shtetërore ndaj bizneseve të tjera në raste fatkeqësish natyrore — përmbytje, zjarre apo humbje të prodhimit bujqësor — ku, sipas tij, reagimi shtetëror ka munguar krejtësisht.
Mesazh për SPAK-un dhe të rinjtë
Ndër temat e tjera, avokati vlerësoi punën e fundit të SPAK-ut, duke e cilësuar si mbështetje reciproke mes qytetarëve në protestë dhe institucionit të drejtësisë, por theksoi se lufta kundër korrupsionit 36-vjeçar nuk mund t’i ngarkohet vetëm një institucioni.
Në pjesën e fundit të bisedës, Serjani foli për krizën e familjes shqiptare si shkak kryesor i përfshirjes së të rinjve në vepra penale, duke lidhur këtë me vështirësitë ekonomike dhe largimin e prindërve nga vendi për punë. Ai u drejtua në fund të rinjve me një mesazh të drejtpërdrejtë: të mos braktisin shkollën dhe të mos e braktisin Shqipërinë.