Pas performancës spektakolare në mbrëmjen përmbyllëse të eventit Dolce & Gabbana Alta Moda në Taormina të Italisë, Jennifer Lopez ka zgjedhur të kalojë disa ditë pushimi në brigjet e Sicilisë. Artistja amerikane është fotografuar duke shijuar diellin dhe detin në bordin e një jahti luksoz, në shoqërinë e balerinit italian Giuseppe Giofrè, me të cilin bashkëpunon prej vitesh.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë dyshen duke kaluar momente relaksi mes ujërave kristal të Taorminës. Giofrè, i njohur për bashkëpunimet me emra të mëdhenj të muzikës ndërkombëtare, ka qenë pjesë e trupës artistike të Jennifer Lopez në disa projekte dhe turne, duke ruajtur një miqësi të afërt edhe jashtë skenës.
Pushimet vijnë menjëherë pas koncertit ekskluziv që Jennifer Lopez mbajti në mbrëmjen finale të eventit të modës së Dolce & Gabbana, ku interpretoi disa nga hitet e saj më të njohura dhe u shfaq me disa veshje të krijuara posaçërisht për këtë rast. Performanca e saj ishte një nga momentet më të komentuara të aktivitetit, i cili mblodhi në Taormina personalitete të njohura nga bota e modës, artit dhe spektaklit.