I keni parasysh dasmat kur vinin hallat ose dajat dhe ju merrnin pothuajse me zor në valle, sepse ju vinte turp të kërcenit? Pikërisht atë ndjesi kam edhe unë kur më duhet të shkruaj apo të flas për veten. Jo se nuk di të flas, por nuk besoj se kam qenë ndonjëherë shumë e zonja për të treguar atë që bëj, për ta vlerësuar apo për ta vendosur veten në qendër të vëmendjes. Më duket gjithmonë sikur duhet të më marrë dikush për dore dhe të më nxjerrë në valle.
Por, meqë kësaj here më duhet të flas për punën time, po e provoj.
Podcast me Jonën nisi si një dëshirë për të krijuar një hapësirë ku njerëzit të mund të flasin lirshëm për historitë e tyre, për përvojat që i kanë formuar, për vështirësitë që kanë kaluar dhe për mësimet që kanë nxjerrë prej tyre.
Nuk doja që të ishte thjesht një tjetër podcast ku ftohen njerëz, bëhen disa pyetje dhe në fund mbyllet biseda. Doja që çdo takim të kishte një arsye, që pas tij të mbetej diçka për t’u menduar, për t’u diskutuar apo për t’u mësuar.
Me kalimin e kohës kuptova se temat që mund të trajtohen janë shumë më të gjera nga sa mund të mendosh në fillim. Ndonjëherë një histori personale të çon te një problem shoqëror, një bisedë me një profesionist të ndihmon të kuptosh më mirë një çështje dhe një përvojë e vështirë mund të bëhet një mesazh që i shërben dikujt tjetër. Kështu, podcast-i nisi të marrë formën e vet.
Njerëzit përtej asaj që shohim
Një nga gjërat që më intereson më shumë është të kuptoj njeriun përtej profesionit, titullit apo imazhit që ka krijuar në publik. Në bisedën me çiklistin Ylber Sefa, për shembull, nuk u ndalëm vetëm te sporti dhe rezultatet. Pas një karriere rreth 19-vjeçare, titujve kampion dhe përvojës në gara ndërkombëtare, ishte e rëndësishme të flisnim edhe për sakrificat, largimin nga Shqipëria, vështirësitë dhe raportin e sportistit me institucionet. Pas arritjeve sportive qëndron një njeri që ka luftuar për të ndërtuar rrugën e tij.
Një tjetër bisedë që më ka mbetur në mendje është ajo me Gerit Trebickën. Ai tregoi për bullizimin që kishte përjetuar nga një mësues gjatë fëmijërisë, për një periudhë që zgjati rreth gjashtë muaj dhe për pasojat që një përvojë e tillë mund të lërë te një fëmijë.
Kur dëgjon histori të tilla, kupton edhe një herë se sa e rëndësishme është mënyra se si sillemi me fëmijët. Një fjalë, një sjellje apo një padrejtësi nga një i rritur mund të lërë gjurmë shumë më gjatë nga sa mendojmë. Dhe ndonjëherë, ajo që një fëmijë ka më shumë nevojë është thjesht dikush që ta dëgjojë dhe ta besojë.
Me Uerdën, instruktore Pilatesi, biseduam për kujdesin ndaj trupit, lëvizjen dhe rëndësinë e të mos e shtyrit gjithmonë për nesër shëndetin tonë. Historia e saj është gjithashtu një shembull se si një vështirësi personale, në rastin e saj problemet me shpinën, mund të të çojë drejt një rruge të re profesionale dhe një misioni që ndihmon edhe të tjerët. Këto janë bisedat që më pëlqejnë. Ato ku nuk flasim vetëm për atë që dikush bën, por edhe për arsyen pse e bën.
Fëmijët, prindërit dhe sfidat që nuk duhen anashkaluar
Një tjetër drejtim i rëndësishëm i punës sime është edukimi dhe zhvillimi i fëmijëve. Përmes bashkëpunimit me profesionistë si Laurena Brako Jusufi, logopede dhe drejtuese e Dyslexia Center, synoj të sjell më shumë informacion për vështirësitë në të nxënë, disleksinë, ADHD-në dhe sfidat që hasin fëmijët gjatë rritjes dhe edukimit.
Shpesh, prindërit përballen me pyetje për të cilat nuk kanë përgjigje të qarta. Pse fëmija im nuk lexon si të tjerët? Pse e ka të vështirë të përqendrohet? A është thjesht mungesë vëmendjeje apo ka diçka tjetër që duhet kuptuar? Besoj se informacioni i saktë mund të ndryshojë mënyrën se si e shohim dhe e mbështesim një fëmijë. Nuk duhet të nxitojmë ta etiketojmë, ta krahasojmë apo ta gjykojmë. Duhet të përpiqemi ta kuptojmë. Për mua, kjo është edhe arsyeja pse dua që këto tema të kenë hapësirë në podcast dhe në materialet që përgatisim për publikun.
A ia vlen? Bisedat që na ndihmojnë të marrim vendime më të mira
Një nga rubrikat që i ka dhënë një drejtim tjetër podcast-it është “A Ia Vlen?”, e përqendruar te edukimi financiar. Paratë, kursimet, kreditë, depozitat, investimet dhe pasuritë e paluajtshme janë pjesë e jetës sonë të përditshme. Megjithatë, jo gjithmonë dimë të marrim vendime të informuara për to.
Në këtë rubrikë kam pasur mundësinë të zhvilloj biseda me ekonomistë dhe profesionistë të fushës, si Ergis Sefa, Enriko Ceko, Romina Radonshiqi dhe Enea Rekaj, duke trajtuar tema që prekin drejtpërdrejt familjet dhe individët. A po i ruajmë paratë apo po i lejojmë të humbasin vlerë? Kur ia vlen të marrësh një kredi? A duhet të shohim vetëm këstin mujor apo koston e plotë të huasë? Çfarë duhet të dimë përpara se të investojmë në një pronë?
Nuk dua të jap përgjigje të gatshme dhe as të bind dikë të marrë një vendim të caktuar. Përkundrazi, dua që njerëzit të mësojnë të bëjnë pyetjet e duhura, të krahasojnë dhe të kuptojnë pasojat e zgjedhjeve të tyre. Në këtë drejtim është edhe bashkëpunimi me platformën IA VLEN, e cila synon t’u japë qytetarëve mundësinë të krahasojnë oferta dhe produkte financiare përpara se të marrin një vendim. Më intereson që edukimi financiar të mos mbetet vetëm një temë për specialistët. Ai duhet të jetë i kuptueshëm dhe i arritshëm për këdo që dëshiron të menaxhojë më mirë të ardhurat dhe kursimet e tij.
Sepse një vendim financiar mund të ndikojë në jetën e një familjeje për shumë vite.
Disa tema kërkojnë më shumë se një takim. Disa histori kanë nevojë për kohë, ndërsa disa çështje duhen trajtuar nga këndvështrime të ndryshme. Prandaj, përveç bisedave që janë zhvilluar, ka edhe tema dhe takime të tjera që dua të sjell në vazhdim.
Një prej tyre është ushqyerja dhe mënyra se si ndërtojmë marrëdhënien me trupin tonë. Në një kohë kur rrjetet sociale janë mbushur me metoda të shpejta dobësimi, dieta magjike dhe premtime që tingëllojnë shumë bukur për të qenë të vërteta, mendoj se kemi nevojë për më shumë informacion të saktë dhe më pak premtime të lehta. Edhe çështjet e pronësisë, trashëgimisë, bashkëjetesës dhe të drejtave ligjore janë tema që meritojnë më shumë vëmendje. Shumë njerëz përballen me këto situata pa e ditur se cilat janë të drejtat dhe detyrimet e tyre. Dua që podcast-i të jetë një hapësirë ku këto tema të trajtohen pa frikë, me profesionalizëm dhe me gjuhë të kuptueshme.
Përtej mikrofonit është një ekip
Ndonëse emri i podcast-it lidhet me mua, kjo punë nuk bëhet vetëm nga një person. Pas çdo ideje, bisede, xhirimi dhe materiali të publikuar ka edhe bashkëpunim. Këtu dua të ndalem te Xhulio Radi. Unë besoj se kur dy njerëz kanë vërtet dëshirën të bëjnë diçka të mirë për shoqërinë, mund të dalë një punë e bukur, sepse bëhet me zemër dhe me përkushtim. Sigurisht, kjo nuk do të thotë se gjithmonë mendojmë njësoj apo se çdo gjë shkon sipas planit.
Xhulio ka durim. Madje, ndoshta më shumë nga sa e kishte imagjinuar kur vendosi të bashkëpunonte me mua. Unë kam shumë ide, shumë pyetje, ndonjë ndryshim në momentin e fundit dhe, ndonjëherë, edhe dëshirën për t’u kthyer te diçka që e kemi mbyllur tashmë. Me pak fjalë, nuk është gjithmonë e lehtë të më ndjekësh ritmin!
Vlerësoj përkushtimin, besimin dhe dëshirën e tij për të ndërtuar diçka që ka kuptim për njerëzit, jo thjesht për të qenë edhe një emër tjetër në botën e medias. Dhe, sigurisht, faleminderit që ke durim edhe kur unë kam edhe një ide tjetër!
Nga podcast-i te revista dhe historitë që meritojnë të mbeten
Me kalimin e kohës, kuptova se jo çdo histori mund të përfundojë me mbylljen e një episodi. Disa biseda kanë aq shumë për të treguar, sa meritojnë të vazhdojnë edhe në formë të shkruar. Kështu lidhet edhe puna ime me Thank You Magazine.
Revista më jep mundësinë t’u jap më shumë hapësirë historive, t’i zhvilloj temat, të sjell këndvështrime të tjera dhe të ruaj në një formë tjetër përvojat që njerëzit kanë zgjedhur të ndajnë me ne. Më pëlqen ideja që një bisedë e dëgjuar në podcast të mund të lexohet më vonë, të ruhet dhe të shërbejë si pikënisje për një diskutim të ri. Për mua, media nuk duhet të jetë vetëm një vend ku publikohen lajme dhe materiale. Ajo duhet të krijojë mundësi për të dëgjuar njerëzit, për të ndarë njohuri dhe për të sjellë në vëmendje çështje që ndonjëherë kalojnë pa u vënë re.
Pse vazhdoj?
Nuk do të thosha se çdo gjë ka qenë e lehtë. Ka shumë punë që nuk duket në ekran: përgatitja e pyetjeve, kërkimi, komunikimi me të ftuarit, organizimi, xhirimet, montazhi, publikimi dhe gjithë ajo pjesë që ndodh përpara se dikush të shohë një video prej disa minutash.
Ka ditë kur ke shumë ide dhe ditë kur pyet veten nëse ajo që po bën po arrin te njerëzit. Ka materiale që marrin vëmendje dhe të tjera që ndoshta nuk marrin aq sa prisje. Por kam kuptuar se nuk mund ta masësh gjithmonë vlerën e një pune vetëm nga numrat. Ndonjëherë mjafton një mesazh nga dikush që thotë se është ndjerë i kuptuar, se ka mësuar diçka të re apo se një histori e ka bërë të reflektojë.
Këto janë gjërat që më japin arsye të vazhdoj.
Nuk pretendoj se Podcast me Jonën i ka të gjitha përgjigjet. As nuk dua të jetë një hapësirë ku njerëzit vijnë për të dëgjuar vetëm atë që duan të dëgjojnë. Dua të ketë pyetje, këndvështrime të ndryshme, përvoja reale dhe biseda që na ndihmojnë të shohim përtej asaj që dimë.
Në fund të fundit, secili prej nesh ka një histori. Disa histori na frymëzojnë, disa na tronditin, disa na mësojnë dhe disa na bëjnë të kuptojmë se nuk jemi vetëm në atë që po kalojmë. Dhe nëse përmes një bisede arrijmë që dikush të mendojë ndryshe, të marrë një vendim më të informuar, të kërkojë ndihmë apo thjesht të ndihet më pak i vetëm, atëherë besoj se ia ka vlejtur.
Faleminderit … Jona