Enea Reka: Leva financiare është si gazi i një makine. Nëse je në rrugën e duhur, të çon më shpejt. Nëse je në rrugën e gabuar, të çon më shpejt drejt greminës.
Në këtë episod të rubrikës “A ia vlen?”, flasim për një nga pyetjet më të rëndësishme për sipërmarrësit dhe individët: a ia vlen të marrësh para hua për të investuar?
Ekonomisti Enea Reka shpjegon çfarë është leva financiare, kur një kredi mund të shërbejë si mjet për rritje dhe kur mund të kthehet në një barrë financiare. Nga fondi i emergjencës te kostoja reale e kredisë, nga investimi te shpenzimi dhe nga biznesi ekzistues te sipërmarrësi i ri, kjo bisedë sjell disa pyetje që duhet t’i bëjë çdo person përpara se të firmosë një kredi.
Pyetje: Sipërmarrësit shpesh thonë: “Kurrë mos puno me paratë e tua.” A ia vlen të bësh para me para që nuk janë të tuat?
Enea Reka:
Kjo është një nga mekanizmat më të vjetër të ekonomisë dhe quhet levë financiare. Ideja është shumë e thjeshtë: ti merr para hua, ku interesi është “qiraja” e parasë, dhe i vendos në diçka që prodhon më shumë. Diferenca që mbetet është e jotja. Për shembull, një person mund të blejë një shtëpi duke përdorur një pjesë të parave të veta dhe pjesën tjetër përmes kredisë bankare. Nëse pas disa vitesh apartamenti rritet në vlerë, ai ka përfituar edhe nga kapitali që nuk e kishte fillimisht. Por leva financiare funksionon mirë vetëm nëse vendimi që merr është i mirë. Nëse vendimi është i gabuar, efekti mund të jetë katastrofik. Leva financiare është si gazi i një makine: nëse je në rrugën e duhur, të çon më shpejt. Nëse je në rrugën e gabuar, të çon më shpejt drejt greminës. Leva financiare nuk e di se ku do të shkosh. Këtë e di vetëm “shoferi”.
Pyetje: Çfarë do të thotë konkretisht të marrësh kredi për të investuar?
Enea Reka:
Në momentin që merr këtë vendim, ndodhin dy gjëra njëkohësisht: ke një shpresë dhe ke një detyrim.
Shpresa është që investimi do të japë rezultat. Detyrimi është kontrata që ke firmosur me bankën.
Në momentin që merr kredinë, ti ke detyrimin të paguash çdo muaj, në një datë të caktuar. Banka nuk do ta ndryshojë kontratën sepse ti je sëmurë, sepse tregu ka ndryshuar apo sepse investimi yt nuk po ecën mirë.
Kjo është arsyeja pse duhet të kuptojmë dallimin mes një premtimi për fitim dhe një detyrimi financiar. Investimi është një pritshmëri. Kredia është kontratë.
Pyetje: Cilat janë format kryesore të kredisë që duhet të njohë një sipërmarrës?
Enea Reka:
Në përgjithësi kemi disa forma.
Kemi kredinë e biznesit, ku banka kërkon një plan biznesi dhe zakonisht edhe kolateral.
Kemi kredinë konsumatore, e cila zakonisht është më e shtrenjtë.
Kemi kredinë hipotekore, që zakonisht ka kosto më të ulët, por në këtë rast vendos në rrezik një pasuri, siç është shtëpia.
Dhe kemi overdraftin. Prandaj, përpara se të marrësh një kredi, duhet të kuptosh jo vetëm shumën që do të marrësh, por edhe strukturën, koston dhe rrezikun që shoqëron atë kredi.
Pyetje: Si ta dallojmë një investim nga një shpenzim i panevojshëm?
Enea Reka:
Nëse po merr një kredi dhe do ta vendosësh në funksion të aktivitetit tënd, duhet të kesh një bazë të fortë arsyetimi që ai borxh do të rrisë prodhimin ose të ardhurat. Por kjo nuk do të thotë se çdo investim është automatikisht i mirë. Edhe nëse një biznes ka kontrata dhe të ardhura të rregullta, duhet parë struktura financiare. Mund të kesh para “në letra”, por të mos kesh mjaftueshëm cash për të paguar këstin e radhës. Një tjetër problem është investimi në diçka që nuk e kupton. Nëse thjesht dëgjon dikë tjetër duke thënë “fut paratë këtu dhe do t’i marrësh më shumë”, pa kuptuar se si funksionon investimi dhe nga vijnë të ardhurat, rreziku është shumë i madh.
Pyetje: Cilat janë tri pyetje që duhet t’i bëjë një person vetes përpara se të marrë kredi për investim?
Enea Reka:
Janë tri pyetje shumë të thjeshta.
E para: Nëse investimi nuk më gjeneron asnjë të ardhur, a mund ta përballoj kredinë? Nuk mund të presësh që pikërisht investimi që sapo ke bërë të paguajë menjëherë këstin e kredisë. Nëse i gjithë plani varet nga kjo, atëherë je duke marrë një rrezik shumë të madh.
E dyta: A më prek fondin e emergjencës? Nëse kredia të konsumon të gjitha rezervat që ke, një problem i vogël në jetën tënde mund të kthehet në krizë.
E treta: Nëse gjithçka shkon keq, a më prishet jeta? Nëse për shkak të këtij investimi rrezikon gjithçka që ke, duhet të mendohesh shumë seriozisht përpara se të marrësh kredinë.
Pyetje: Sa duhet të jetë fondi i emergjencës për një biznes?
Enea Reka:
Nuk ka një numër magjik që vlen për çdo biznes. Duhet të shikojmë strukturën financiare të subjektit dhe mënyrën se si gjeneron dhe përdor paratë. Një biznes mund të ketë të ardhura në bilanc, por të mos ketë cash në momentin kur duhet të paguajë këstin e radhës. Prandaj, nuk duhet të nisësh një investim pa pasur një fond emergjence. Ai shërben si një jastëk sigurie në rast se rriten shpenzimet ose bien të ardhurat.
Pyetje: Nëse më duhen 80 mijë euro kredi për një investim, a duhet të marr 100 mijë për të pasur një rezervë?
Enea Reka:
Unë nuk do të merrja 100 mijë euro nëse më duheshin 80 mijë. Nuk po marr para për të rritur kapitalin tim. Kredia ka një kosto dhe duhet ta kthesh. Për shembull, nëse marrim 10 mijë euro kredi me interes 10% dhe afat pesëvjeçar, kësti mujor është rreth 212 euro dhe në fund të 60 muajve shuma totale e kthyer është rreth 12.750 euro. Pra, investimi duhet të prodhojë mjaftueshëm për të kaluar jo vetëm shumën e marrë, por edhe koston e financimit.
Pyetje: Çfarë duhet të krahasojë një sipërmarrës përpara se të marrë një kredi?
Enea Reka:
Fillimisht duhet të shohë kthimin e pritshëm nga investimi dhe koston reale të kredisë. Kosto reale nuk është vetëm kësti. Duhet të shikosh:
- interesin;
- afatin;
- taksat dhe kostot e tjera;
- rrezikun;
- likuiditetin;
- sa kohë do të vonojë kthimi i investimit;
- dhe nëse ke para për ta përballuar situatën kur gjërat nuk shkojnë sipas planit.
Pyetja kryesore është: Nëse gjërat shkojnë 20–30% më keq se plani, a e përballoj dot?
Kjo është një pyetje që duhet t’ia bëjë vetes çdo sipërmarrës.
Pyetje: Nëse investimi pritet të sjellë 10% fitim, ndërsa kredia kushton 6%, a do të thotë automatikisht se është zgjedhje e mirë?
Enea Reka:
Jo. 10% është premtim, ndërsa 6% është faturë. Prandaj nuk mund të themi automatikisht se diferenca është 4%. Fitimi duhet të analizohet pas kostove të tjera, rreziqeve dhe vonesave të mundshme. Nëse investimi nuk sjell 10%, ndërsa detyrimi prej 6% vazhdon, situata ndryshon.
Pyetje: Cilat janë rreziqet më të mëdha kur investon me para të huazuara?
Enea Reka:
Ka disa rreziqe.
I pari është rreziku që investimi të vonojë dhe të mos sjellë të ardhurat në kohën e parashikuar. Pastaj kemi rrezikun e likuiditetit: mund të mos kesh para në momentin kur duhet të paguash. Kemi rrezikun e kostos financiare, veçanërisht kur ndryshojnë kushtet e financimit. Dhe kemi një rrezik që shpesh neglizhohet: mbivlerësimin e vetes. Kur flasim për shifrat, duhet të jemi shumë të ftohtë. Pyetja nuk është “do t’i gjej paratë”, por “a kam realisht paratë për ta paguar këtë detyrim?”.
Pyetje: Çfarë ndryshon kur investimi bëhet me paratë e tua dhe çfarë kur bëhet me kredi?
Enea Reka:
Kur investon kapitalin tënd, një investim i gabuar mund të të kushtojë para. Kur investon me para të huazuara, mund të të kushtojë edhe vite jete, sepse detyrimi vazhdon për aq kohë sa është afati i kredisë. Nëse ke marrë një kredi 20-vjeçare, për 20 vite ke një detyrim që duhet ta përmbushësh. Prandaj duhet të jesh shumë më i kujdesshëm kur përdor kapital të huazuar.
Pyetje: Kur bëhet kredia një mjet për rritje dhe kur kthehet në borxh?
Enea Reka:
Kredia është një mjet për rritje kur ke një plan të qartë për kthimin e investimit. Ajo kthehet në problem kur përdoret për të zëvendësuar mungesën e cash-it dhe për të shtyrë një problem ekzistues. Nëse ke një “vrimë të zezë” financiare dhe përdor kredi për ta mbuluar, pa zgjidhur problemin fillestar, mund të përfundosh duke krijuar një gropë edhe më të madhe. Pra, duhet të dish saktësisht pse po e merr kredinë dhe ku do të shkojnë paratë.
Pyetje: A ndryshon situata nëse biznesi tashmë gjeneron të ardhura?
Enea Reka:
Patjetër që ndryshon, por nuk do të thotë automatikisht se kredia është zgjedhja e duhur. Duhet të shikojmë historikun e biznesit, të ardhurat, shpenzimet dhe aftësinë për të shlyer kredinë edhe në periudha të dobëta. Për shembull, një biznes sezonal mund të punojë vetëm pesë muaj në vit. Në këtë rast duhet parë nëse të ardhurat e atyre muajve mjaftojnë për të përballuar edhe muajt kur aktiviteti është më i ulët.
Pyetje: Çfarë kërkon zakonisht banka nga një biznes që aplikon për kredi?
Enea Reka: Zakonisht kërkohen dokumente dhe të dhëna që tregojnë historikun dhe gjendjen financiare të biznesit. Ndër të tjera mund të kërkohen:
- ekstrakti dhe NIPT-i;
- historiku i aktivitetit;
- transaksionet e blerjeve dhe shitjeve;
- deklarimet dhe faturat;
- bilancet;
- plani i biznesit;
- parashikimet financiare;
- numri i punonjësve;
- asetet;
- dhe kolaterali, në varësi të produktit të kredisë.
Një këshillë që ua jap gjithmonë bizneseve është: bëni deklarime reale dhe mbani dokumentacionin financiar të rregullt.
Nesër, kur të kërkoni një kredi, mungesa e faturave apo mospërputhjet në dokumentacion mund të ndikojnë në analizën që bën banka.
Pyetje: Po një i ri që nuk ka ende biznes, por ka një plan biznesi? Çfarë mundësish ka?
Enea Reka:
Nëse aktualisht nuk ke një aktivitet të regjistruar, situata është ndryshe dhe duhet parë se çfarë produkti financiar është i përshtatshëm.
Por këshilla ime kryesore për një të ri është: kujdes me borxhin kur ke pak rezerva.
Kredia mund të jetë një mundësi për të përdorur levën financiare, por plani duhet të jetë shumë i qartë.
Duhet të pyesësh veten: A ka ky plan kapacitet të gjenerojë të ardhura? Sa shpejt mund të ndodhë kjo? Dhe a kam një fond emergjence nëse gjërat nuk shkojnë sipas planit?
Pyetje: Po nëse dikush merr kredi për investim, por investimi dështon dhe paratë janë të bllokuara në pajisje apo në një aktivitet që nuk gjeneron të ardhura?
Enea Reka:
Kjo është pikërisht arsyeja pse skenarët duhet të bëhen përpara, jo pasi problemi të ketë ndodhur.
Duhet të kesh të paktën tre skenarë:
Skenari bazë: Çfarë ndodh nëse investimi shkon sipas planit?
Skenari negativ: Çfarë bëj nëse investimi shkon keq?
Skenari i ndryshimit: A mund ta ndryshoj strategjinë nëse situata ndryshon?
Duhet të përcaktosh paraprakisht se me çfarë do ta mbulosh një humbje dhe nëse ekziston një pikë ku duhet të pranosh humbjen, të ndryshosh strategjinë ose të dalësh nga investimi. Ky plan duhet të ekzistojë përpara se të marrësh kredinë, jo pasi të kesh mbetur pa alternativa.
Kredia nuk është automatikisht as e mirë, as e keqe. Ajo është një mjet financiar dhe rezultati varet nga mënyra se si përdoret. Përpara se të marrësh një kredi për investim, duhet të dish:
Pse po e marr?
Sa do të më kushtojë realisht?
Sa mund të fitoj?
Sa mund të humbas?
Dhe çfarë ndodh nëse plani im nuk realizohet?
Sepse, siç e përmbledh Enea Reka: “10% është premtim, ndërsa 6% është faturë.”