Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Joani, përcolli një mesazh frymëzues për studentët e diplomuar të Kolegjit Universitar “Logos”, duke i inkurajuar ata të vazhdojnë rrugën e dijes dhe zhvillimit edhe pas përfundimit të studimeve.
Gjatë ceremonisë së diplomimit, ai theksoi se diploma nuk përfaqëson vetëm përfundimin e një cikli akademik, por edhe një përgjegjësi të re ndaj shoqërisë.
“Diploma që mbani sot në duar nuk është thjesht një dokument, por një dëshmi e punës, përkushtimit dhe përgjegjësisë që tashmë mbani si profesionistë të rinj,” u shpreh Kryepiskopi Joani.
Ai përgëzoi studentët për përkushtimin dhe sakrificat e bëra gjatë viteve të studimit, duke vlerësuar gjithashtu mbështetjen e familjeve dhe angazhimin e stafit akademik në formimin e tyre.
Në fjalën e tij, Kryepiskopi falënderoi pedagogët dhe administratën e Kolegjit Universitar “Logos” për kontributin në edukimin e brezave të rinj, ndërsa shprehu dëshirën që institucioni të vazhdojë të zgjerojë komunitetin e tij akademik.
Ai nënvizoi se arsimi nuk duhet të kufizohet vetëm te transmetimi i njohurive, por duhet të kultivojë edhe vlera njerëzore si dashuria për jetën, solidariteti, krijimtaria dhe origjinaliteti.
Në përfundim, Fortlumturia e Tij Joani u bëri thirrje të diplomuarve të mos ndalen asnjëherë së kërkuari dije dhe zhvillim personal, duke i ftuar të përdorin njohuritë e fituara në shërbim të shoqërisë dhe së mirës së përbashkët.