Çfarë ndodh kur një fëmijë lexon një tekst, por në fund nuk mban mend asgjë? Pse disa fëmijë etiketohen si “dembelë”, “të pabindur” apo “të shpërqendruar”, kur në të vërtetë mund të përballen me vështirësi në të nxënë? Dhe sa rëndësi ka ndërhyrja e hershme?
Këto janë disa nga pyetjet që u trajtuan në një bisedë me Laurena Brako Jusufin, Scientific Director dhe Speech-Language Pathologist pranë Disleksia Center, në një episod kushtuar komunikimit, zhvillimit dhe të nxënit të fëmijëve. Një prej situatave më të zakonshme që përjetojnë prindërit është ajo kur fëmija ulet të lexojë, por pas disa minutash nuk arrin të tregojë çfarë ka lexuar.
Sipas Jusufit, një nga gjërat e para që duhet vlerësuar është niveli real i leximit të fëmijës. “Shumë prindër thonë se fëmija lexon mirë, por nuk dinë të masin nëse shpejtësia dhe niveli i leximit janë të përshtatshme për klasën ku ndodhet fëmija”, shpjegon ajo.
Kur leximi nuk është automatizuar, fëmija harxhon shumë energji për të deshifruar fjalët dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në kuptimin e tekstit. Te fëmijët me disleksi, kjo vështirësi mund të jetë edhe më e theksuar. Procesi i leximit kërkon një përpjekje më të madhe dhe, ndërsa fëmija përqendrohet te dekodimi i fjalëve, mund të mbetet shumë pak energji për përpunimin e kuptimit.
Problemi nuk është vetëm akademik
Një vështirësi e padiagnostikuar në të nxënë nuk ndikon vetëm te notat. Kur një fëmijë përballet çdo ditë me një detyrë që e ka të vështirë ta realizojë, mund të fillojë të ndërtojë një imazh negativ për veten. “Unë nuk di”, “unë nuk mundem”, “jam më i dobëti i klasës” janë disa prej shprehjeve që specialistja dëgjon nga fëmijët.
Nis me vetëbesimin.
Jusufi thekson se vetëbesimi ndërtohet që në familje dhe se mënyra se si prindi reagon ndaj gabimeve dhe përpjekjeve të fëmijës mund të ndikojë shumë në mënyrën se si ai e sheh veten. Një tjetër element i rëndësishëm është shmangia e perfeksionizmit të tepruar.
“Prindërit që përpiqen të jenë perfeksionistë rrisin gjithmonë fëmijë ankthiozë”, shprehet ajo.
Sa më herët, aq më mirë
Një nga mesazhet kryesore të bisedës është rëndësia e identifikimit të hershëm. Vështirësitë e fëmijës në klasën e parë shpesh justifikohen me faktin se “është vetëm fillimi i shkollës” dhe se “do ta kapë ritmin”. Por kur vështirësitë vazhdojnë, boshllëqet mund të bëhen gjithnjë e më të mëdha.
Sa më vonë të identifikohet problemi, aq më shumë punë kërkohet jo vetëm për pjesën akademike, por edhe për aspektin emocional.
Fëmija mund të ketë kaluar vite duke dëgjuar kritika, duke u krahasuar me bashkëmoshatarët dhe duke e përjetuar shkollën si një vend ku i vihet në dukje ajo që nuk arrin të bëjë.
Pikërisht për këtë arsye, ndërhyrja e hershme është një nga elementët më të rëndësishëm.
“Nuk je dembel”
Një tjetër mesazh i rëndësishëm i intervistës lidhet me mënyrën se si prindërit i interpretojnë sjelljet e fëmijëve. Një fëmijë që nuk përfundon detyrat, shpërqendrohet, harron udhëzimet apo refuzon të lexojë nuk duhet parë automatikisht si dembel apo i paedukuar. Pas një sjelljeje të tillë mund të fshihet një vështirësi që kërkon vlerësim profesional. Jusufi thekson gjithashtu se disleksia dhe ADHD/ADD nuk janë rezultat i një gabimi të prindërve. Ajo i përshkruan këto si çrregullime me bazë biologjike, ndërsa mbështetja familjare dhe mjedisi mund të ndikojnë në mënyrën se si fëmija përballet me vështirësinë.
Vajzat shpesh mund të mos dallohen
Në bisedë u ndalën edhe te dallimet në mënyrën se si mund të shfaqen vështirësitë e vëmendjes. Ndërsa hiperaktiviteti dhe impulsiviteti mund të jenë më të dukshme te disa djem, vajzat mund të shfaqin më shpesh një profil më pak të dukshëm, duke u dukur të qeta, të përhumbura ose të shpërqendruara. Kjo mund të bëjë që vështirësia të identifikohet më vonë. Një vajzë mund të harxhojë shumë më tepër kohë duke studiuar për të arritur një rezultat që bashkëmoshatarët e saj e arrijnë me më pak përpjekje.
Çfarë mund të bëjnë prindërit në shtëpi?
Një nga këshillat praktike të Jusufit është vendosja e objektivave të vogla dhe konkrete. Jo dhjetëra objektiva njëherësh, por një ose dy që fëmija mund t’i kuptojë dhe t’i ndjekë. Edhe shpërblimi duhet të lidhet me kohën kur përfundon detyra, veçanërisht te fëmijët me vështirësi në menaxhimin e vëmendjes. Por mbi të gjitha, duhet vlerësuar përpjekja, jo vetëm rezultati. Një fëmijë me disleksi mund të ketë bërë një përpjekje shumë më të madhe për të realizuar një detyrë që për një fëmijë tjetër mund të jetë shumë më e thjeshtë. Prandaj, në vend që të fokusohemi vetëm te gabimet, duhet të shohim edhe atë që fëmija ka arritur të bëjë.
Një qasje që shkon përtej fëmijës
Në Disleksia Center, sipas Jusufit, përveç vlerësimit dhe trajtimit të vështirësive në të nxënë, disleksisë dhe ADD/ADHD-së, është zhvilluar edhe këshillimi i prindërve. Një nga shërbimet e reja është trajnimi dhe këshillimi i prindërve të fëmijëve në spektrin e autizmit, me synimin që struktura dhe mbështetja e dhënë gjatë terapisë të vazhdojë edhe në shtëpi. Qendra ofron gjithashtu një shërbim after-school për fëmijë me nevoja të veçanta, ku ndërthuren puna akademike, terapia logopedike dhe zhvillimi.
Në fund të bisedës, mbetet një mesazh i thjeshtë, por i rëndësishëm: Kur një fëmijë thotë “nuk mundem”, përpara se t’i themi “përpiqu më shumë”, duhet të pyesim: “Çfarë po të pengon?” Sepse pas një fëmije që nuk po arrin të lexojë, të përqendrohet apo të përfundojë një detyrë, mund të mos fshihet mungesa e dëshirës. Mund të fshihet një vështirësi që ende nuk është kuptuar.