Southwest Airlines ka njoftuar një ndryshim të madh në politikat e saj për pasagjerët që nuk përshtaten në një sedilje standarde. Duke nisur nga 27 janari 2026, këta udhëtarë do të jenë të detyruar të blejnë paraprakisht një vend shtesë gjatë rezervimit të biletës. Ky ndryshim shënon edhe fundin e sistemit të deritanishëm të ulëseve të lira, pasi kompania do të kalojë në caktimin e vendeve.
Deri tani, pasagjerët mund të kërkonin një ulëse shtesë në aeroport dhe të merrnin rimbursim pas fluturimit. Me rregullat e reja, rimbursimi do të jetë i kufizuar dhe i kushtëzuar, duke u lejuar vetëm nëse përmbushen disa kritere, si rezervimi i dy sediljeve në të njëjtën tarifë dhe dorëzimi i kërkesës brenda 90 ditëve nga data e fluturimit.
Në rast se pasagjeri nuk e ka blerë vendin shtesë dhe kjo kërkohet gjatë udhëtimit, ai do të duhet ta paguajë në aeroport. Nëse fluturimi është i tejmbushur dhe nuk ka vende pranë, kompania mund ta shtyjë udhëtimin për një tjetër fluturim me ulëse të përshtatshme.
Ky ndryshim ka shkaktuar reagime të forta, pasi shumë e shohin si politikë që e bën udhëtimin më të shtrenjtë dhe të ndërlikuar për personat plus-size. Kritikët e quajnë këtë një hap që largohet nga qasja e mëparshme e Southwest-it, e njohur për thjeshtësi dhe përfshirje, drejt një modeli më të rreptë e të orientuar te fitimi.