Në Podcastin e Suksesit nga Xhulio Radi, Edisa Lecini ndau mendime personale mbi rrugëtimin e saj në biznes, zhvillimin personal dhe mënyrën si e sheh jetën sot. Ajo tregoi se pasioni ka qenë baza e çdo hapi që ka ndërmarrë dhe se nuk beson tek kufijtë kur bëhet fjalë për suksesin dhe rritjen personale.
Gjatë bisedës, ajo foli edhe për rëndësinë e vetëdashurisë, duke pranuar se me kalimin e viteve ka mësuar t’i japë më shumë vëmendje vetes dhe mirëqenies emocionale. Sipas saj, njerëzit duhet të mësojnë jo vetëm të japin, por edhe të pranojnë dashuri, ndihmë dhe mbështetje.
Një pjesë e intervistës iu kushtua edhe marrëdhënieve njerëzore dhe dashurisë, ku Edisa theksoi se dashuria e shëndetshme është forcë dhe jo dobësi. Ajo foli hapur edhe për ndikimin që rrjetet sociale kanë tek njerëzit, duke treguar se preferon të jetë autentike dhe reale para publikut të saj.
Ajo ndau edhe eksperiencën e saj me zhvillimin personal, duke treguar se ka investuar shumë tek vetja, trajnimet dhe përmirësimi profesional ndër vite. Për Edisa-n, puna me veten është një proces i vazhdueshëm që ndikon jo vetëm në biznes, por edhe në mënyrën si një person komunikon dhe përballet me jetën.
Në intervistë u diskutua edhe për produktet dhe suksesin e markës së saj, ku ajo tregoi se bestseller-at më të kërkuar lidhen kryesisht me kujdesin për flokët dhe lëkurën. Sipas saj, besimi i klientëve dhe rezultatet që ata marrin kanë qenë arsyeja kryesore që biznesi i saj është rritur ndër vite.
Në fund, Edisa dha një mesazh motivues për gratë dhe të rinjtë, duke i inkurajuar të investojnë tek vetja, të mos dorëzohen dhe të besojnë se edhe në Shqipëri mund të ndërtohet sukses dhe karrierë. Ajo theksoi se çdo njeri duhet të ketë guximin të ndryshojë jetën e tij dhe të mos ketë frikë të kërkojë ndihmë apo të nisë nga e para.