Shfaqja e filmit “Odiseu” nga regjisori Christopher Nolan ka nxitur diskutime të shumta ndërkombëtare mbi veprën monumentale të Homerit dhe lidhjet e saj me historinë, mitologjinë dhe kulturën mesdhetare. Debati është zhvilluar në media, podkaste dhe qarqe akademike, ku studiues të njohur kanë analizuar mënyrën se si filmi interpreton botën e “Odiseas”.
Përveç diskutimeve mbi përmbajtjen artistike, filmi ka tërhequr vëmendje edhe për përdorimin e elementeve të kulturës shqiptare në kolonën zanore. Tingujt e fyellit të Gramshit, interpretimi i mjeshtrit Vendim Kapaj dhe iso-polifonia shqiptare janë vlerësuar si pjesë e identitetit muzikor që shoqëron këtë produksion kinematografik.
Pranë Shpellës së Ciklopit ngrihet një lavazh makinash. Në vend që të ndërtojmë një hapësirë interpretimi, një itinerar kulturor apo një pikë të denjë pritjeje për vizitorët, ne kemi zgjedhur ta banalizojmë një pasuri që shumë vende do ta kishin kthyer në simbol kombëtar.
Në këtë kontekst është rikthyer edhe diskutimi për Shpellën e Ciklopit në Himarë, një vend që prej kohësh lidhet në traditën lokale me mitin e Odiseut dhe Ciklopit. Sipas autorëve që kanë ngritur këtë çështje, ekzistenca e këtij toponimi përbën një pasuri të rëndësishme kulturore dhe një mundësi për zhvillimin e turizmit kulturor në Shqipëri.
Ata theksojnë se trashëgimia e lidhur me mitologjinë mesdhetare duhet të promovohet dhe të mbrohet më mirë, duke kërkuar më shumë investime në infrastrukturë, interpretim kulturor dhe promovim të këtyre destinacioneve. Sipas tyre, zhvillimi i zonës pranë Shpellës së Ciklopit nuk pasqyron potencialin historik dhe turistik që ajo mbart.
Diskutimet vijnë në një kohë kur filmi “Odiseu” po shfaqet në kinematë amerikane dhe evropiane, duke rikthyer interesin ndërkombëtar për mitologjinë antike dhe duke i dhënë një jehonë të re elementeve të trashëgimisë kulturore shqiptare që janë përfshirë në këtë produksion.